Gërvalla në Forumin Ministror të BE-së: Asnjë pozitë publike, asnjë pasuri dhe asnjë lidhje politike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë sot në panelin kushtuar luftës kundër korrupsionit, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla tha se lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet të palëkundur institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

“Përballja me këtë dukuri kërkon vullnet të palëkundur institucional, një sistem drejtësie të pavarur e profesional, zbatim të pakompromis të ligjit dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar”, tha Ministrja Gërvalla.

Ajo nënvizoi se lufta kundër korrupsionit kërkon verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, konfiskimin e përfitimeve të paligjshme dhe mbajtjen e zyrtarëve publikë përgjegjës për veprimet e tyre.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve. Asnjë pozitë publike, asnjë pasuri dhe asnjë lidhje politike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Në fund, ajo rikthesoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e reformave në drejtësi, forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.

“Republika e Kosovës mbetet e vendosur të thellojë reformat në drejtësi, të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partnerët evropianë, duke konsoliduar e forcuar sundimin e ligjit dhe duke garantuar përgjegjësi e barazi për të gjithë njësoj para ligjit”, tha Ministrja Gërvalla.

Të ngjashme