Dje në media është raportuar për një skandal brenda bankës komerciale “Raiffeisen”, ku një punonjës i bankës dyshohet se është qasur në llogarinë dhe transaksionet bankare të Përparim Ramës, kryetarit të Komunës së Prishtinës.
Punonjësi i dyshuar, sipas burimeve të Gazetës Nacionale brenda policisë është Albion Ferati.
Nga banka Raiffeisen e kanë konfirmuar dje rastin për Gazetën Express, ku kanë deklaruar se kanë pranuar një ankesë nga Përparim Rama, andaj edhe kanë nisur trajtimin e rastit.
“Ju konfirmojmë se ankesa nga Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore. Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, kanë thënë ndër të tjerash nga “Raiffeisen”.
Ende nuk dihet cila ka qenë arsyeja ose qëllimi i të dyshuarit Albion Ferati lidhur me veprimet e tij të kundërligjshme dhe kundër rregullave strikte bankare.
Duhet theksuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime parahetimore lidhur me dyshimet për qasje të paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.