Prokurorët e Bashkimit Evropian kanë nisur hetimet për keqpërdorimin e mundshëm të fondeve të BE-së, të cilat ishin destinuar për përmirësimin e linjës hekurudhore në Spanjë, ku një aksident treni shkaktoi vdekjen e 69 personave javën e kaluar.
Prokurorët, të mbështetur nga një njësi e posaçme e forcave të sigurisë Guardia Civil të Spanjës, deklaruan se hetimi po zhvillohej në zyrat e autoritetit të infrastrukturës hekurudhore Adif dhe të Agjencisë së Sigurisë Hekurudhore AESF.
Aksidenti i 28 tetorit në linjën e trenave me shpejtësi të lartë Madrid-Sevilje ishte një nga katastrofat më të rënda hekurudhore në Evropë gjatë këtij shekulli.
Ky është hetimi i dytë i BE-së për mashtrim me fondet në sektorin hekurudhor të Spanjës, i nisur këtë vit, pasi 46 persona humbën jetën në të njëjtën linjë, në Adamuz, në muajin janar.
Javën e kaluar, një tren i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni të ndaluar, në pronësi të kompanisë private spanjolle Iryo, jashtë fshatit Urda, rreth 130 kilometra në jug të Madridit.
Sistemi i komunikimit LZB, i cili monitoron pozicionin e trenave, kishte dalë jashtë funksionit dhe trenit të kompanisë Renfe i ishte dhënë sinjali për të rifilluar lëvizjen me shpejtësi normale, pavarësisht se treni Iryo që ndodhej përpara tij nuk kishte mundur të rifillonte udhëtimin.
Dy aksidentet, të ndodhura me nëntë muaj diferencë në të njëjtën linjë hekurudhore, kanë shkaktuar gjithsej 115 viktima dhe dhjetëra të plagosur. (A2 Televizion