Komuna e Suharekës ka ndarë 63 lopë për fermerët, në kuadër të subvencionimit të sektorit të blegtorisë. Përfituesit thonë se kjo ndihmë do të ndikojë në zgjerimin e tufave dhe rritjen e prodhimit vendor. Komuna planifikon që vitin e ardhshëm t`i ndajë edhe mbi 100 krerë të tjerë.
Komuna e Suharekës ka ndarë subvencione për fermerët, duke u dhuruar nga një lopë, me qëllim të mbështetjes së sektorit të blegtorisë dhe rritjes së prodhimit vendor. Përfituesit e vlerësojnë këtë ndihmë si mundësi të rëndësishme për zgjerimin e tufave të bagëtive dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre ekonomike.
“Dy i kam pasur, tash edhe një tjetër. E falënderoj komunën. Kam pasur dëshirë t’i shtoj lopët, por nuk kam pasur mundësi. I kam tre studentë në shtëpi dhe nuk kam mundur të ndaj para për studentët dhe për të blerë lopë. Synimi im është që ta rris tufën në pesë lopë”, tha Hedi Jakupi, përfitues për RTK.
“Kjo ndihmë na ndihmon shumë. Fshati ynë ka mbi një mijë shtëpi, por ka shumë pak lopë, ndërsa kërkesa për qumësht është e madhe. Besoj se me rritjen e numrit të lopëve do të rriten edhe të ardhurat. Jemi gjashtë anëtarë të familjes dhe jetojmë nga ky biznes, duke prodhuar qumësht dhe djathë. Prandaj, synojmë ta zgjerojmë veprimtarinë tonë”, theksoi Bardhyl Zyrapi, përfitues.
Mbështetja për fermerët është realizuar në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Mështjerra”, e cila ka kontribuar në zbatimin e kësaj nisme.
“Kemi një marrëveshje me organizatën “Mështjerra”. Vitin e kaluar kemi dhuruar 60 krerë lopë, këtë vit do t’i ndajmë 63, ndërsa vitin e ardhshëm mbi 100. Arsyeja kryesore është edhe rritja e çmimit të qumështit dhe djathit. Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë sa më shumë bujqit, pasi këto produkte mbeten në vendin tonë dhe konsumohen nga qytetarët tanë”, tha Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës.
Ndërkaq, nga Drejtoria e Bujqësisë thonë se projekte të tilla janë të domosdoshme për forcimin e prodhimit vendor dhe uljen e varësisë nga importi i produkteve blegtorale.
“Duke u konsultuar me fermerët, kemi parë të domosdoshme realizimin e këtij projekti, pasi importi i qumështit dhe i mishit në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Projekte të tilla duhet të mbështeten si nga Qeveria, ashtu edhe nga komunat, në mënyrë që ta forcojmë këtë sektor, i cili ende nuk është mjaftueshëm i zhvilluar në Kosovë”, pohoi Armend Krasniqi, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Suharekës.
Shpërndarja e bagëtive do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, kur pritet të ndahet kontingjenti i dytë për fermerët përfitues.