Çitaku: Nisma për Ligjin për Specialen tashmë është shtetërore, do të ketë edhe iniciativa të tjera

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se nisma për Ligjin për Specialen, e cila fillimisht ishte iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë është shndërruar në nismë shtetërore, raporton Ekonomia Online.

Duke folur për ndryshimet që do të bëhen në projektligj, Çitaku ka thënë se kanë pranuar sugjerime konkrete nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim që ligji të jetë më i qëndrueshëm juridikisht. Ajo ka bërë të ditur se gjatë gjithë periudhës sa do të zgjasë procesi i apelit në Hagë, do të ketë edhe iniciativa të tjera në Kuvend dhe në institucionet e tjera të Republikës së Kosovës.

“Edhe një herë, ky, kjo nismë e cila filloi si nismë e Partisë Demokratike të Kosovës, sot është nismë shtetërore. Dhe unë po besoj që ky është, ky ka qenë qëllimi ynë dhe kjo ka qenë thirrja që na është bërë ditë e natë në sheshet në Prishtinë e anekënd ku jetojnë shqiptarët. Kjo është tanimë nismë shtetërore, nuk është vetëm nismë partiake. Ne, sigurisht që kemi vlerësuar që edhe ligji i kaluar ka qenë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Mirëpo, siç e kam thënë tashmë disa herë, në momentet e fundit kemi pranuar disa sugjerime konkrete nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët me dashamirësi, me qëllim të mirë, kanë synuar ta mbështesin këtë projekt në mënyrë që ta bëjnë më të qëndrueshëm juridikisht. Edhe një gjë do të pasur qartë: përgjatë gjithë kësaj periudhe sa do të zgjasë apeli, do të ketë edhe nisma të tjera. Ky është vetëm hapi i parë. Do të ketë edhe nisma të tjera edhe në Kuvend, do të ketë edhe nisma të tjera edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës. Do të rezervohem të flas për specifikat, sepse siç e thashë, tashmë ky nuk është vetëm ligj i Partisë Demokratike të Kosovës dhe mua kjo më gëzon. Edhe po besoj që do të duhej ta gëzonte secilin qytetar të Republikës së Kosovës që është shqetësuar shumë sinqerisht për këtë proces”, tha Çitaku.

Të ngjashme