Kurti thotë se nuk ka avancuar asnjë familjar të tij në institucione: As vëllezërit e as prindërit nuk kanë ardhur në zyrën time

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se asnjë nga familjarët e tij nuk ka avancuar në institucione publike përmes lidhjeve familjare, duke theksuar se as vëllezërit dhe as prindërit e tij nuk kanë shkuar ndonjëherë në zyrën e tij në Qeveri, raporton Ekonomia Online.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në përgjigje të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e pyeti nëse ai vazhdon të qëndrojë prapa deklaratës së bërë gjatë fushatës zgjedhore, se familjarët janë për dasma e jo për institucione.

Kurti tha se deklarata ishte bërë në vitin 2021, e jo në vitin 2019, siç pretendoi Musliu, ndërsa shtoi se vazhdon të qëndrojë prapa qëndrimit të tij për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit pa kompromis.

“Kjo deklaratë e imja kur e shikova është bërë jo në vitin 2019 por 2021 sepse nga maskat vërehet se ishte kohë pandemie. Së dyti, ju e keni shkurtuar deklaratën me pak fjalë, por unë i qëndroj prapa asaj, luftimi korrupsionit dhe nepotizmit pa asnjë koncesion apo kompromis. Nëse mbani mend dekadën e kaluar, në top tre brengat kryesore të qytetarëve kanë qenë rregullisht papunësia dhe korrupsioni. Sot nuk janë as në top tre as top pesë. Pse nuk është më? Pikërisht se ruhet paraja publike dhe nuk ka më për tendera as ryshfet në fillim, as haraq në fund. Unë kam thënë që të mos jetë lidhja familja e farefisi. As dy vëllezërit e mi, as prindërit nuk kanë ardhur kurrë në zyrën time të qeverisë, ma gjeni një Kurti të avancuar”, tha Kurti.

Të ngjashme