Një ish-këshilltar politik i ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, është në mesin e kandidatëve që synojnë të bëhen Avokat i Popullit.
Shpëtim Hajdaraj, i cili ka qenë i angazhuar si këshilltar i Gërvallës, është njëri nga 13 emrat që kanë aplikuar për këtë pozitë. Megjithatë, në të dhënat publike të identifikuara deri më tani nuk ka shumë informacione për përvojën e tij në fushën e të drejtave të njeriut.
Në garë është edhe Shqipe Ibraj-Mala, ish-zëvendës Avokate e Popullit. Ajo ka drejtuar edhe Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës, brenda këtij institucioni.
Basri Kastrati, po ashtu zëvendës Avokat i Popullit, ka përvojë në mbrojtjen dhe asistimin e viktimave. Ai ka udhëhequr Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave në kuadër të Prokurorit të Shtetit.
Valbona Puka-Gola është e angazhuar në Institucionin e Avokatit të Popullit, ku drejton Departamentin për Bashkëpunim, Raportim dhe Promovim të të Drejtave të Njeriut.
Salihe Salihu është ligjëruese dhe hulumtuese në fushën e shkencave politike. Në punën e saj akademike ka trajtuar, ndër të tjera, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut.
Lumnije Demi udhëheq Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Përvoja e saj lidhet me qasjen në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Mimoza Gavrani ka përvojë në programe të zhvillimit, qeverisje dhe integrime evropiane. Ajo ka qenë e angazhuar edhe në Fondin e Ballkanit Perëndimor.
Milaim Çekaj ka mbajtur pozita në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Në profilin e tij figurojnë edhe trajnime në fushën e të drejtave të njeriut.
Në listën e kandidatëve janë edhe Makfirete Krasniqi, Valbona Shala-Thaqi, Muharrem Mustafa, Safet Beqiri dhe Bekim Berisha. Për këta kandidatë, të dhënat publike deri më tani nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për të ndërtuar një profil të plotë për të vlerësuar përvojën e tyre në fushën e të drejtave të njeriut.
Kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës i Kuvendit, i cili është themeluar të mërkurën, përpara se procedura të vazhdojë me përzgjedhjen e kandidatit për këtë institucion.