Kërkohet paraburgim për të pandehurin e dyshuar për vrasje të rëndë

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Rr.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03 min, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri Rr.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S.D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin prezente në momentin e ngjarjes.

I pandehuri duke përdorur armën e zjarrit të llojit “Sig Sauer”, ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij.

Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë.

Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Të ngjashme