Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, është intervistuar nga Komisioni Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.
Gjatë intervistimit, Mujaj-Bajraktaraj është pyetur edhe për çështjen e fëmijës, i cili në një periudhë të caktuar kishte qëndruar me familjarë të tjerë.
Ajo ka deklaruar se, sipas informacionit që posedon, fëmija kishte qenë me babanë, ndërsa ka bërë të ditur se ky i fundit kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa e njoftuar Qendrën për Punë Sociale (QPS).
“Fëmijët ka qenë me babën aq sa kam unë informacion. Është një periudhë e caktuar ku baba në bazë të raportit, zhvendoset domethënë, shkon në Shtetet e Amerikës edhe nuk e informon QPS-në. QPS-ja nuk ka qenë e informuar që baba ka shkuar në Amerikë. Në momentin që e ka marrë informacionin, ka shkuar te pala, e ka verifikuar gjendjen, edhe i ka drejtuar departamentit. Këtë informacion e kam në bazë të raportit”, tha ajo.
Gjithashtu, Mujaj-Bajraktaraj foli edhe për takimin e Mekanizmit Koordinues, i cili ishte mbajtur dy ditë para ndodhjes së rastit.
Ajo tha se sipas kujtesës së saj, prokurorja e kishte cilësuar rastin si dhunë, duke kërkuar që viktima të trajtohej në këtë kontekst, por nuk i kujtohet që të ishte përmendur se ajo ishte e ekspozuar ndaj një rreziku shumë të lartë.
“Sa mbaj mend, prokurorja e ka potencuar që është rast i dhunës, duhet të trajtojmë në konceptin e cilësimit si viktimë e dhunës. Nuk mbaj mend që prokurorja të ketë thënë që ka qenë e, domethënë, e ekspozuar ndaj një rreziku shumë të lartë”, potencoi ajo.
