Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian kanë mbajtur në Prishtinë takimin e tetë të Nënkomitetit për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe Statistika, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Takimi vjetor shërbeu për të shqyrtuar zhvillimet ekonomike dhe financiare në Kosovë, politikat buxhetore e fiskale, mjedisin e biznesit, menaxhimin e financave publike, statistikat dhe kontrollin e brendshëm financiar publik.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua progresit të Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe zbatimit të rekomandimeve të përcaktuara në Paketën e Zgjerimit 2026 të Komisionit Evropian.
Gjatë diskutimeve për zhvillimet ekonomike dhe fiskale u trajtuan rritja dhe struktura e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), investimet e huaja direkte, inflacioni, tregu i punës dhe bilanci financiar i jashtëm. Po ashtu, u diskutua perspektiva fiskale e vendit, sfidat dhe rreziqet buxhetore, si dhe përgatitja e buxhetit për vitin 2027.
Për më shumë lexoni njoftimin e plotë:
Më 19 nëntor, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian mbajtën në Prishtinë takimin e tetë të Nënkomitetit për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe Statistika, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Takimi vjetor ofroi mundësi për të shqyrtuar zhvillimet ekonomike dhe financiare në Kosovë, për të shkëmbyer pikëpamje mbi politikat buxhetore dhe fiskale, si dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në mjedisin e biznesit, kornizën strategjike të menaxhimit të financave publike, statistikat dhe kontrollin e brendshëm financiar publik. Takimi shërbeu gjithashtu për të vlerësuar progresin e Kosovës në këto fusha si pjesë e procesit të integrimit në BE, me vëmendje të veçantë ndaj zbatimit të rekomandimeve të përcaktuara në Paketën e Zgjerimit 2026 të Komisionit Evropian.
Diskutimet mbi politikat ekonomike dhe fiskale përfshinë rritjen dhe strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), investimet e huaja direkte, inflacionin, zhvillimet në tregun e punës dhe bilancin financiar të jashtëm. Pjesëmarrësit shqyrtuan gjithashtu perspektivën e politikës fiskale të Kosovës, përfshirë vlerësimin e rreziqeve dhe sfidave fiskale, si dhe përgatitjen e buxhetit për vitin 2027. U theksua nevoja për miratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve pas përfundimit të periudhës së jostabilitetit institucional, me qëllim përcaktimin e një strategjie të qartë fiskale dhe forcimin e lidhjes së saj me procesin vjetor buxhetor, duke përmirësuar njëkohësisht konsultimet dhe përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile.
BE-ja nënvizoi nevojën për të ruajtur stabilitetin makrofiskal përmes respektimit të kufijve të shpenzimeve dhe deficitit të përcaktuar nga rregullat fiskale, duke u dhënë përparësi shpenzimeve transformuese që nxisin rritjen ekonomike.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu reformat strukturore që synojnë forcimin e kapacitetit të Kosovës për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut. Diskutimet përfshinë mjedisin e biznesit, sistemin energjetik të Kosovës dhe privatizimin, si dhe progresin në reformat që synojnë nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, digjitalizimin e procesit të regjistrimit të bizneseve të reja dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte produktive. BE-ja vuri në dukje progresin e arritur në mbikëqyrjen financiare dhe theksoi nevojën për forcimin e qeverisjes së ndërmarrjeve publike.
Takimi trajtoi më tej zhvillimet e fundit lidhur me lëvizjen e lirë të kapitalit. BE-ja mirëpriti aplikimin e fundit të Kosovës për t’u përfshirë në fushëveprimin gjeografik të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), të dorëzuar pas përafrimit të mëtejshëm të kornizës së saj për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Sa u përket statistikave, pjesëmarrësit riafirmuan se të dhënat e besueshme dhe cilësore janë të domosdoshme për hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në dëshmi. Ata theksuan rëndësinë e përmirësimit të qasjes në burimet e të dhënave administrative dhe sigurimit të përdorimit sistematik të tyre.
Diskutimet theksuan gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, veçanërisht duke siguruar burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili është shtyrë për vitin 2027.
Sa i përket kontrollit financiar, BE-ja theksoi rëndësinë e përshpejtimit të përpjekjeve për të siguruar një sistem gjithëpërfshirës të kontrollit të brendshëm financiar publik. Diskutimet nxorën në pah gjithashtu nevojën urgjente për të përmirësuar zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm, për të forcuar kapacitetet e auditimit të brendshëm dhe për të përmirësuar transparencën e përgjithshme të raportimit në Kosovë.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, BE-ja vazhdon bashkëpunimin me Kosovën në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke e ndihmuar atë në zbatimin e reformave që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.