Nisi zbatimi i sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Kosoves ka njoftur se sipas planit tashmë ka filluar funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), duke mundësuar kështu kryerjen e transfereve të para të menjëhershme për qytetarët dhe bizneset. Në fazën e parë, shërbimi ofrohet nga katër prej dhjetë bankave që operojnë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka. Klientët e këtyre bankave mes vete mund të kryejnë transfere të shpejta deri në 3,000 euro për transfer, kur banka e dërguesit dhe banka e pranuesit janë të dyja pjesëmarrëse në TIPS-K”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, transferet realizohen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare, përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave (mobile banking/e-banking).

“Prandaj, para nisjes së çdo transferi, klientët duhet të kontrollojnë të dhënat para konfirmimit, përfshirë emrin, mbiemrin, IBAN-in dhe shumën, si dhe duhet të kenë kujdes që të mos i japin askujt asnjë të dhënë të sigurisë ose të dhënë tjetër të ndjeshme”.

Në njoftim thuhet se transferet ku njëra nga bankat ende nuk është lidhur me TIPS-K, si dhe transferet që tejkalojnë kufirin e përcaktuar për këtë fazë, vazhdojnë të procesohen përmes kanaleve ekzistuese të pagesave.

“Bankat e tjera do t’i bashkohen sistemit gradualisht dhe në vijimësi, pas përfundimit të përgatitjeve të nevojshme teknike dhe operative, brenda periudhës kalimtare tremujore, e cila përfundon më 23 shkurt 2027. BQK-ja, në bashkëpunim me bankat pjesëmarrëse, po monitoron në vazhdimësi funksionimin e sistemit dhe procesin e integrimit gradual të bankave të tjera. Çdo çështje eventuale teknike ose operative do të trajtohet në koordinim ndërmjet BQK-së dhe bankave pjesëmarrëse dhe, sipas nevojës, me Bankën e Italisë, me qëllim të sigurimit të funksionimit të qëndrueshëm dhe efikas të shërbimit gjatë fazës së parë të zbatimit”.

Në rast se një transfer i shpejtë nuk konfirmohet menjëherë, klientët rekomandohen të verifikojnë statusin e tij në aplikacionin e bankës ose të kontaktojnë bankën e tyre para se ta përsërisin transferin.

“Lista e përditësuar e bankave pjesëmarrëse, tarifat, përgjigjet në pyetjet më të shpeshta dhe informacionet për funksionimin e TIPS-K janë në dispozicion në faqen zyrtare të BQK-së, në seksionin e dedikuar për TIPS-K. Sistemi i Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K) u lansua për bankat më 20 nëntor 2026 me një ceremoni zyrtare të organizuar nga BQK-ja. Ndërsa sot, me rastin e funksionimit të tij, TIPS Clone si projekt rajonal do të inaugurohet edhe në një ceremoni zyrtare në Romë, në Bankën e Italisë, me pjesëmarrje të nivelit të lartë nga BQK-ja. Ceremonia do të transmetohet edhe përmes kanaleve tona”.

Të ngjashme