Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur sot në takim një delegacion të nivelit të lartë të BE-së, i udhëhequr nga Pedro Serrano, zëvendës-sekretar i Përgjithshëm për Politikat e Përbashkëta të Sigurisë, Mbrojtjes dhe të Reagimit ndaj Krizave.
Në takim merrte pjesë dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Zv.drejtori i përgjithshëm për siguri në BE, Olivier Onidi, në këtë takim njoftoi zyrtarisht ministrin Sefaj, se në mbledhjen e djeshme të bordit menaxhues të EUROPOL-it, është vendosur që Kosova te jete ne listën prioritare nga shtetet anëtare te EUROPOL-it me te cilën EUROPOL do të lidhë Marrëveshje Pune.
“Vendosja dhe aprovimi i Kosovës në listën e prioritare nga shtetet anëtare dhe aprovimi nga ana e Bordit Menaxhues të EUROPOL-it ka ardhur edhe si rezultat i punës së vazhdueshme që MPB në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ILEC-un, MPJ-në dhe Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në një komunikatë të MPPB-së.
Gjithashtu në këtë takim u diskutua për zbatimin e strategjisë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Me këtë rast, ministri Sefaj shprehi përkushtimin e tij për të luftuar në çdo formë të mundshme terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm si dhe çdo lloj kërcënimi për sigurinë shtetërore, krimeve të të gjitha llojeve e posaçërisht atyre trans-kufitare.
Gjithashtu u prezantuan nga ana e Policisë së Kosovës, të arriturat e tyre në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.
Anëtarësimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qenë prioritet i ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, që nga dita e parë e marrjes së detyrës së ministrit, theksohet në komunikatën e kësaj ministrie pas takimit.
