Skuadra e Trepçës ’89 ka arritur që të mbetet në Superligën e Kosovës në futboll edhe për sezonin e ardhshëm, pasi që mposhti Vëllaznimin në ndeshjen e barazhit.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, Trepça ’89 shënoi fitore me rezultatin 4-2 ndaj Vëllaznimit.
Golat e fitores për mitrovicasit u shënuan nga Richard Asare, Arb Manaj, Hasan Hyseni dhe Engjëll Hoti, kurse për gjakovarët realizuan Tun Bardhoku dhe Almedin Murati.
Kështu, Trepça ’89 siguron qëndrimin në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm, kurse Vëllaznimi zhgënjen edhe njëherë tifozët e tyre, pasi që edhe sezonin tjetër do të jenë pjesë e Ligës së Parë.