Gazetarë e politikanë ngushëllojnë për vdekjen e gazetarit veteran Llukman Halili

| 13 Qer 2020 | 15:14 | Nga

Ikja në amshim e gazetarit veteran Llukman Halili nga Lugina pikëlloi sot me mëngjes komunitetin e gazetarëve dhe jo vetëm.

Kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, sot në emër të Qeverisë ngushëlloi për vdekjen e tij duke shtuar se ikja e tij e hershme tronditi dhe trishtoi gazetarinë shqiptare.

“Jam i tronditur nga shkuarja e hershme në amshim e gazetarit Llukman Halili. Ky është një lajm i trishtueshëm për mbarë gazetarinë shqipe. Në emrin e Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të tij”, shkroi Hoti.

Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke ngushëlluar për vdekjen e tij përkujtoi karrierën e bujshme në gazetarinë shqiptare të korrespodentit të parë të Radio Televizionit të Prishtinës nga Palestina, njofton Klan Kosova.

“Halili pati një karrierë shumëvjeçare në gazetarinë politike, si dhe ka qenë korrespodenti i parë i Radio Televizionit të Prishtinës nga Palestina. Ai ka dhënë kontribut në fushën e gazetarisë dhe informimit për ngjarjet që kanë ndodhur në vend. I ndjeri para luftës ka punuar si gazetar në Radio Zagreb, në gazetën “Bota Sot”, ndërsa së fundi ishte profesor në Universitetin e Varshavës”, shkroi AGK.

Për Halilin ngushëllime shprehu edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një telegrami dërguar familjes së tij.

“Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit shumëvjeçar dhe shkrimtarit të njohur me prejardhje nga Kosova Lindore, Llukman Halili. Ai do të kujtohet përgjithmonë për kontributin e tij të madh në fushën e gazetarisë, publicistikës e letërsisë. Ju lutem, familje Halili, pranoni ngushëllimet më të sinqerta ju, shokët, miqtë e farefisi. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, shkroi Haziri.

Halili ishte edhe mik i komandantit Agim Ramadani, që pas vdekjes së tij, kujtimet për të i ndau edhe me bashkëshorten Shukrije Ramadani. Për këtë ajo sot shprehu ngushëllimet për ikjen e gazetarit të Luginës.

“Lajmi trishtues për ikjen tënde të hershme më trishtoi! Herën e fundit kur telefonuam më premtove se do të dalësh të shihemi e bisedojmë shtruar për të pathënat për Agimin. Ike Lluki e more të gjitha me vete, sinqeritetin, bujarinē e miqësinë e cila do të mbetet kujtim që sjell lot. Ngushëllime familjes me të cilët krenoheshe fort dhe miqve që të kanë dashtë e çmuar lartë!”, ka shkruar Shukrije Ramadani.

Për vdekjen e bashkëvendasit ngushëlloi edhe Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve të gazetarit të njohur terrnocas Llukman Halili. Lluki, siç e njihnin të gjithë ishte gazetari i parë nga Tërrnoci, komuna e Bujanocit i cili raportonte për RTP e më pas për shumë media vendore e ndërkombëtare. Me një karrierë të spikatur dhe mjaft intensive në shumë media, ai krijoi profilin e intelektualit modern shqiptarë i cili në kohë të errëta, ato të lirisë spikati si gazetar, si autor librash e publicist. Në gazetarinë shqiptare do të kujtohet si koleg që u përball kurajshëm me fake neës-in e propagandën e nacionalizmit serb në veçanti si dhe komunizmit në përgjithësi . I paharruar mbetesh gazetari jonë, Llukman Halili!”.

Halili punoi në Televizionin e Prishtinës, në agjencinë e lajmeve kroate HINA për Ballkanin, ishte asistent profesor në Universitetin e Varshavës në Poloni, redaktor i gazetës “Bota sot” në Zvicër. Ai mbrojti doktoraturën në Universitetin e Zarës në Kroaci në Shkencat Humane.

Të ngjashme