Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar arsyen e mospranimit të Jehona Krasniqit në punë, në konkursin e shpallur nga kjo ministri, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas kësaj ministri, konkursi ka paraparë që të rekrutohen profesionistë shëndetësorë të cilët përveç shkollimit të përfunduar në Mjekësi dhe licencë pune, përparësi t’u jepet kandidatëve me gradën më të lartë.
Ndërsa, puna vullnetare, si në rastin e Krasniqit, kjo ministri thotë se është paraparë si përparësi nëse grada dhe koha e licencimit mes kandidatëve është e njëjtë.
“Sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit të përfunduar në mjekësi dhe licencës së punës, përparësi për kandidatët pjesëmarrës ka qenë grada me e lartë, koha më e gjatë e licencimit dhe në kushte të barabarta, kur shembull në të njëjtën datë janë licencuar dy kandidatë, përparësi t’i jepet kandidatit që ka punuar si vullnetarë në kohën e pandemisë Covid-19. Pra, në kushte të barabarta të plotësimit të kritereve, kandidatët që kanë shërbyer vullnetarisht gjatë kohës së pandemisë kanë pasur përparësi”, thuhet në sqarimin e ministrisë.
Sqarimi i Ministrisë së Shëndetësisë erdhi pas Jehona Krasniqi u ankua për mospranim e saj në punë në këtë konkurs, anipse ajo kishte punuar 4 muaj vullnetare.