Gjiri i zhvillimit ekonomik
Dje, diku në Kosovë, u përurua një gjiriz i përmasave të hatashme ekonomike, një gjiriz, që do ta ujisë tokën e thatë të Kosovës me zhvillim ekonomik.
Prandaj, punët e qeverisë duhet t’i duartrokasim.
Dhe ky është sukses madhor, për të cilin do të mbahet mend kjo qeveri e stërkequr.
Në të vërtetë, asgjë nuk është stërkeqja në planin qeverisës, çka është ajo në planin etik e moral, nga emetimi i gazrave helmues që prodhon propaganda shtetërore.
Pse?
Emetimi i gazrave të këqija e ka shkatërruar mjedisin etik e moral, duke e prishur politikën e duke krijuar një realitet të gërditshëm, ku, më se shumti duartrokitet jo normaliteti.
Po dje, në këtë ditë të madhe përurimi, ish ambasadori i Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, tregoi se vendi ynë nuk ka raporte pozitive me Amerikën ama kjo deklaratë, pse të merret seriozisht? – se torollakët, këtu, mes nesh, i njohin punët e Amerikës më mirë se vetë amerikanët, dhe me një gjiriz e sfidojnë mjerimin, kapitalizmin amerikan, Europën, dhe e ruajnë sovranitetin.
Ky është argëtim i bukur për mendjeshkretit ama fatal për breznitë e ardhme, të cilat, këto gjashtë vite të Kosovës, do t’i njohin si vite të stganimit, të qeverisë së propagandës së egër, dhe duke i kërkuar sukseset, do të gjejnë një tokë të lanë djerrë dhe do të shohin çfarë brezni e keqe sundonte në këtë vend.
Kjo propagandë e egër, që flet për integrim të veriut, shtrirje të sovranitetit, në të vërtetë e ka cenuar sovranitetin në Prishtinë, duke ndërtuar mure mes njerëzve, mure të tmerrshme të urrejtjes, duke e shkatërruar dialogun, motorin e demokracisë, dhe duke e lartësuar në qiellin politik të Kosovës flamurin më të keq: atë të mos zhvillimit ekonomik, flamurin e skamjes.
Krimi më i madh që mund t’i bëhet një vendi është moszhvillimi ekonomik, që e bën atë fragjil e të cenueshëm kundrejt ideve të këqija.
E kam thënë në një rast: edhe sikur përshkrimi për veriun të ishte njëqindfish më i mirë se siç e përshkruan qeveria, gjashtë vite të humbura të Kosovës, nuk mund të kompensohen me këtë sukses të rrejshëm.
Në të vërtetë, realiteti në veri është fort i deformuar dhe i kamufluar. Në emër të sentimenteve nacionaliste, po realizohet vetëqeverisja, dhe më e keqja, një zgjatim të pushtetit të Serbisë në vendin tonë, që shihet tash me çështjen e shtetësisë.
Pra, gashtë vite të propagandës shtetërore, janë gjashtë vite të shkretimit të Kosovës, gjashtë vite të humbura, të udhëhumburve dhe të një prijësi që mban lart skamjen si standard të zhvillimit ekonomik.
Të promovosh një gjiriz në kohën e inteligjencës artificiale, nuk mund të jetë tragjike, se tragjizmin e prodhon një përpjekje njerëzore për t’i sfiduar pamundësitë, këtu ka diçka që gjuha nuk mund ta përshkruajë: një përmasë të gërditshme të injorancës.
Nejse!
Ky flamur i gënjeshtrave, e ka eklipsuar vendin tonë, ku, pushtetmbajtësit kukurisin si gjelat maje plehu, vetëm për suksese.
Dhe siç na mëson historia, kështu kanë bërë të gjitha pushtet egërshane nëpër kohë e periudha të ndryshme.
Kosova e sotme politike nuk ka raporte të mira me asnjë vend normal.
E ma tragjikja: ajo nuk ka raporte të mira as me vetveten e me të kaluarën e saj.
Kosova e sotme politike nuk ka asnjë sjellje normale, sepse qeveriset me mendësi gjirizi.
Dhe në gjashtë vitet e kaluara, në Kosovë, ka përparuar si asgjë cektësia dhe barërat e këqija antiperëndimorë.
Në krejt këtë lojë të ndytë e të gërditshme është deformuar aq shumë edhe gjuha politike sa për një dëgjues të huaj, me siguri, ajo ngjan me të folmet e gjuhës së bebeve.
Dhe sot, nëse do të bëhej një matja a vlerësim për gjendjen tonë të kuptuarit të politikës, jam forti i bindur se në krejt kontinentin tonë, shqiptarët do të dilnin kombi me koeficientin shumë të ulët të inteligjencës politike.
Prandaj, mes nesh ka kaq shumë mëni e paqartësi, frikë prej të huajave e frikë prej zhvillimit.
Prandaj, nuk arrijmë ta heqin ndryshkun e historive negative dhe mjerimin shekullor që sundon mes nesh, që të bëhemi si krejt Europa, për çka kemi vuajtur e luftuar ndër shekuj.
Ku e ka burim krejt kjo e keqe?- pyet shpeshherë njerëzia.
Shumica e intelektualëve dhe patriotëve tanë, këtë të keqe e lidhin me trashëgimitë e këqija. Në këtë drejtim, Ernest Koliqi thoshte se “pesë shekull të një dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar farën tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e përbashkët, përkatësisht vëllazërimin.”
Kjo farë e tradhtisë është një bimë e keqe mes nesh, që herë duket e fashitur, se prarohet prej ideve të mira, siç ndodhi në vitet e nëntëdhjeta dhe në ato të pasluftës e herë lulëzon, si në kohët e bandave të haxhiqamilëve. Sepse, mendësia e gjirizit, nuk e lejon frymëmarrje perëndimore mes nesh. Nuk lejon ta ajrosim politiken me vlera të mirëfillta. Pikërisht kjo mendësi e shpjegon edhe faktin pse censorët antiperëndimorë ndizen kaq lehtë e kaq shpesh mes nesh.