Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk e mendon ende dorëheqjen, pavarësisht protestave në vend kundër tij. Në një intervistë për “Vanity Fair Italia”, Rama tha se ndoshta kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, mund ta marrë një vendim të tillë.
“Deri sa të ndjej zjarrin e pasionit do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i mirë për të dhënë dorëheqjen”, tha Rama.
I pyetur nëse është ende i gatshëm të heqë dorë nga veto, siç ka deklaruar në të shkuarën, Rama u përgjigj: “Absolutisht. Europa duhet të jetë si tavolina e një familjeje, ku ka disa hierarki. Nuk po them që të ketë kategori nënshtetasish, por Unioni nuk mund të funksionojë me miratimin e të gjithëve”.