Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën, nuk i besojnë sondazhit të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nënkryetari i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi duke e komentuar sondazhin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ky sondazh është i pasaktë dhe është bërë për interes të Vetëvendosjes.
“Ky është një sondazh i një partie politike, që do të thotë se i bazohet elektoratit të vet dhe çdo parti politike që bënë sondazhe e bënë në favor të vetin. Sondazhet e partive politike bëhen sipas interesave të veta”, ka thënë Isufi.
Me tej ai ka thënë se në sondazhet e realizuara nga Organizatat e pavarura AAK është shumë më mirë sesa në sondazhin e prezantuar nga Vetëvendosje.
“Në sondazhet e mëhershme të organizatave të pavarura të cilat e AAK-në e qesin shumë më lartë”, ka shtuar Isufi.
Edhe partia e Fatmir Limajt thotë se nëse sot mbahen zgjedhjet NISMA për Kosovën i ka të sigurt se do të fitojë10 deputetë në parlamentin e Kosovës.
Kështu e nis reagimin partia e Fatmir Limaj ndaj sondazhit të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e ka nxjerrë Nismën më vetëm 3 për qind të mbështetjes popullore.
“Nëpër media sot po qarkullojnë disa sondazhe të porositura e të cilat kanë për qëllim të vetëm dezinformimin e opinionit publik. Për hir të së vërtetës dhe opinionit ne ju informojmë se NISMA për Kosovën rregullisht bënë matjen e opinionit publik për nevojat e saja të brendshme dhe nga këto rezultate del se: Nëse sot mbahen zgjedhjet NISMA për Kosovën i ka të sigurt se do të fitoj 10 deputet për parlamentin e Kosovës, kjo është e vërteta e disponimit momental të opinionit publik në Kosovë. Ky rezultat është rrjedhë logjike kur shihet aktiviteti i përditshëm i NISMA-së nëpër gjithë Kosovën poashtu edhe aderimet e shumta të intelektuale e të rinjve në NISMA në të gjitha qytetet e Kosovës”, thekson Nisma për Kosovën.
Në bazë të këtij sondazhi, VV ka dalë partia e parë, PDK e dyta, LDK e treta, AAK e katërta, AKR e pesta.