AAK fton për një fushatë dhe garë të ndershme

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 13:12 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me rastin e fillimit të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, iu është drejtuar me një mesazh qytetarëve, si dhe anëtarëve e simpatizantë të saj.

AAK thekson se zgjedhjet e përgjithshme me 12 qershor, si dhe zgjedhjet komunale me 22 tetor, shënuan një standard më të avancuar të zgjedhjeve, një normë më të pranueshme të garës dhe të fushatës për zgjedhje.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shënuar rezultate të mira në shumë komuna të Kosovës dhe në 6 prej tyre ende është në garë. Ne jemi të bindur se oferta e kandidatëve tanë për komunat ku ata janë në garë edhe në këtë raund të dytë, është më e mira dhe kjo do të rezultojë me fitoren e tyre, dhe ky mbetet një synim i rëndësishëm i yni”.

“Por përtej kësaj, ne mbetemi të vendosur e të përcaktuar, që votimet e së dielës që vjen, të jenë të një standardi demokratik perëndimor. Vetëm kështu fitorja do të ishte e përgjithshme”, thekson Aleanca.

Në këtë ditë të parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, kjo parti i fton të gjithë anëtarët e simpatizantët e AAK-së, por edhe anëtarët e partive të tjera, që të jenë pjesë e një fushate dhe e një gare të ndershme.

AAK thotë se si parti, do të bëjë gjithçka që është në dorën e saj, që të përmbushet ky standard.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme