Abdixhiku: Dorëheqja e Haxhiut, domosdoshmëri

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet të japë dorëheqje, si akt moral pas rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Në një shkrim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se “Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë”.

“Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik”, ka shkruar Abdixhiku. “Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”

Sipas Abdixhikut, pushteti aktual “kaq di”.

“Përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë”, ka vazhduar ai.

Të premten, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për KPK-në duke thënë se ai shkel disa nene të Kushtetutës. Vendimi është pranuar nga Ministria e Drejtësisë, që megjithatë ka shprehur “vërejtje për disa pika të vendimit”.

Vetë Haxhiu ka thënë se s’do të dorëhiqet, pas akuzave e kërkesave të LDK-së.

Të ngjashme