Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Eqrem Kryeziu, duke e cilësuar atë si një intelektual të shquar, veprimtar të hershëm të LDK-së dhe një prej figurave të rëndësishme të jetës institucionale e politike të Kosovës.
Abdixhiku tha se me vdekjen e Kryeziut, LDK-ja humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një personalitet që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.
Sipas tij, profesor Eqrem Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i Presidentit Ibrahim Rugova. Për më shumë se dy dekada ai udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, ndërsa shërbeu edhe si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet dhe kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para pas çlirimit.
“LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai e ka përshkruar Kryeziun si profesor, intelektual dhe veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë.
Në fund, Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.
“Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar Abdixhiku.