Abdullahu: E admirueshme dëshmia e grave shqiptare kundër gardianes serbe Nadica Cepkenoviq

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar Durim Abdullahu ka reaguar lidhur me siç ka thënë ai një nga ngjarjet më të rëndësishme të xhiruara në historinë e Kosovës të këtij shekulli.

Ai, ka publikuar një video në profilin e tij në rrjetin social Facebook ku disa gra kanë dëshmuar kundër siç ka shkruar ai gardianes gardianes serbe Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për tortura dhe krime lufte ndaj të burgosurave shqiptare në burgun e Lipjanit, më 1998 dhe 1999.

“Zahrije Podrimqaku Subashi, Jehona Krasniqi Morina dhe Mevlyde Saraqi dëshmuan për dhunën dhe torturat e ushtruara ndaj tyre nga gardianja Cepkenoviq, duke kërkuar drejtësi dhe jo hakmarrje, madje duke u shprehur me plot besim te vlerat demokratike dhe një proces i drejtë gjyqësor që shteti i tyre Republika e Kosovës, do t’ia siguroj persekutores së tyre”, ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

Kjo mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të xhiruara në historinë e Kosovës të këtij fillimshekulli!

Thellësisht e admirueshme mënyra aq dinjitoze, njerëzore dhe qytetëruese e këtyre grave shqiptare, që dëshmuan sot në gjyq kundër gardianes serbe Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për tortura dhe krime lufte ndaj të burgosurave shqiptare në burgun e Lipjanit, më 1998 dhe 1999. Zahrije Podrimqaku Subashi, Jehona Krasniqi Morina dhe Mevlyde Saraqi dëshmuan për dhunën dhe torturat e ushtruara ndaj tyre nga gardianja Cepkenoviq, duke kërkuar drejtësi dhe jo hakmarrje, madje duke u shprehur me plot besim te vlerat demokratike dhe një proces i drejtë gjyqësor që shteti i tyre Republika e Kosovës, do t’ia siguroj persekutores së tyre.

Jeohna Krasniqi Morina, jo vetëm që nuk shfryu ndaj persekutores së saj, siç do të mund të pritej gati natyrshëm për psikologjinë njerëzore të një viktime përballë xhelatit, por ajo e pati gjithë kthjelltësinë dhe vetëdijen politike t’i krahasonte burgjet e regjimit serb në Kosovë me kampet burgje naziste. Një karakter njeriu dhe një profil aktivisteje politike që të bën ta nderosh përulësisht.

Ky proces gjyqësor rezulton të jetë një përballje e pashembullt e dy botëve dhe dy kulturave krejt të kundërta: kulturës shqiptare ku të qenit viktimë nuk e ka errësuar sistemin vleror dhe njerëzor, përballë kukturës serbe, ku indoktrinimi ideologjik dhe kulturor formal dhe joformal ndër breza, i ka bjerrur shpirtin një gruaje deri në atë nivel barbarie, sa të torturoj moshataret e saj të pafajshme, vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare dhe angazhimit të tyre për lirinë e popullit dhe atdheut të tyre.

Nadica Cepkenoviq, na kujton që regjimet politike fashiste dhe gjenocidale si ai i Serbisë së Millosheviqit, i prodhon gjithmonë Ilse Koch-të e saj. Andaj lufta çlirimtare e shqiptarëve është edhe një kapitull aq i rëndësishëm në historinë e luftërave çlirimtare dhe betejave për liri të popujve europianë.

Të ngjashme