LDK-ja ka zyrtarizuar Arban Abrashin si kandidat për kryetar të Prishtinës. Kreu i LDK, Isa Mustafa gjatë prezantimit të tij ka thënë se Abrashi si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale është treguar shumë aktiv në zgjidhjen e disa problemeve që nuk janë zgjidhur me vite, raporton EO.
Mustafa ka thënë se Abrashi në fillim të mandatit të tij do të përballet me probleme si kryetar i Prishtinës pasi, siç ka thënë ai në këto 4 vite nuk është punuar, por është bërë vetëm zhurmë.
“Jam i bindur që Abrashi do ta ketë fillim e vështirë me ballafaqimin me problemet e Prishtinës. Është bërë shumë zhurmë mirëpo nuk është punuar asgjë në këtë komunë. Janë kryer punët që veçse kishin filluar gjatë kohës sa isha unë kryetar. Abrashi do të punoj që Prishtina ti përngjaj një qyteti metropolitan, për zhvillim ekonomik, urban e infrastrukturor të integruar”, ka thënë Mustafa.
E, në anën tjetër, Abrashi ka thënë se fokusi i tij do të jetë tek qytetarët, nëse merr drejtimin e Prishtinës. Ai u shpreh i bindur se LDK-ja do ta kthejë Prishtinën.
“Qytetari i Prishtinës ballafaqohet me probleme të mëdha. Dhe unë si kryetar i ardhshëm i Prishtinës do të merrem më këto. Nuk do të merrem me tema në nivel qendror, por me problemet e qytetarëve të Prishtinës. Ne gjatë fushatës do të prezantojmë planin konkret se si do t’i qasemi problemeve të qytetarëve në Prishtinë”, ka thënë Abrashi.