“Papjekuri totale dhe papërgjegjësi”, Mazllum Baraliu kritikon dështimin për konstituimin e Kuvendit

Prishtinë | 24 Pri 2025 | 08:09 | Nga Diellza Gashi

Në përpjekjen e pestë radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet në vazhdimin e seancës së nisur më 15 prill. Ky dështim i radhës shkaktoi reagime të rrepta.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, e cilësoi situatën e krijuare si pasojë të paaftësisë së partive për të arritur marrëveshje dhe për të çuar përpara proceset institucionale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Baraliu e konsideroi vonesën një manovër politike, një lojë me qytetarët dhe me institucionet e shtetit.

“Kjo është paaftësi për të negociuar ndërmjet vete për të arritur marrëveshje dhe për ta çuar përpara procesin e konstituimit të organeve të Kuvendit, një marrëveshje, siç është bërë për votimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Ky është thjesht një manovër politik, një lojë me elektoratin, me vetveten, me shtetin dhe institucionet e tij. Nuk reflekton as kulturë politike, as pjekuri politike, por as përgjegjësi për shtetin dhe për qytetarët, për të gjithë pa dallim”, tha Baraliu.

Ai vlerësoi se kjo sjellje dëmton imazhin e shtetit dhe pengon trajtimin e çështjeve urgjente që e presin qeverinë e re.

“Në rrugë të ndara, me manovra politike dhe me caqe dhe lojëra, për të mos thënë manipulime të ndryshme, janë pa keqardhje fare ndaj votuesve të tyre dhe ndaj opinionit publik, ndaj imazhit që e krijojmë si shtet që e lavdërojmë veten pse jemi demokraci e avancuar në raport me të tjerët. Sidomos, kur kemi përgjegjësi që kanë punë urgjente për të kryer në këtë shtet, nga qeveria e re”, tha ai.

Baraliu i quajti këto veprime si shfaqje të papjekurisë dhe papërgjegjësisë totale, duke i cilësuar si të pahijshme dhe të pandershme.

“Derisa po them manovra janë edhe çdo gjë tjetër. Sa u përket inateve, ato janë të vazhdueshme dhe po shihen qartazi. Madje, po shprehen për çdo ditë kundër njëri-tjetrit edhe pas zgjedhjeve, dhe nuk po ndalen. Me veprime po shohim një papjekuri totale dhe papërgjegjësi. Kjo është një sjellje e pahijshme, e pandershme, deri në paturpësi”, tha ai.

Të ngjashme