Aftësimi profesional të përmbushë nevojat e tregut të punës

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 12:17 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka lansuar punimin “Stimujt për reformë: Rritja e mundësive për nxënësit dhe të diplomuarit e shkollave të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në tregun e punës”.

Aty u diskutua për arsimimin dhe aftësimin profesional në Kosovë, problemet dhe aspektet kyçe që formësojnë aspektin profesional në kërkim të mundësive për treg të punës. Po ashtu u diskutua për rolin e institucioneve dhe të aktorëve relevantë të përfshirë në këtë fushë, mbi ndërveprimin ndërmjet niveleve të tjera të arsimit si dhe mbi zhvillimet në tregun e punës.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv nga Instituti D4D, theksoi se ky hulumtim është nxitur nga nevoja për të analizuar qeverisjen dhe strukturat e stimujve të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, dhe të ofrojë rekomandime sa i përket politikave mbi atë se si kjo t’u përgjigjet më shumë nevojave aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës.

“Tregu kosovar nuk mund t’i përmbush kërkesat e numrit të madh dhe rrjedhimisht mos përputhjet e punëkërkuesve tek të rinjtë në tregun e punës në Kosovë. Duhet të mbetët në mbështetje të institucioneve shoqërore përgatitja sa më e mirë në tregun e punës”, u shpreh Emini.

“Është nevojë e domosdoshme për veprimet konkrete të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për aftësimin dhe arsimin profesional në Kosovë duke filluar nga themelet e tij që është legjislacioni aktual i asaj dhe më pas investime kapitale në këto mjedise”.

Përfaqësuesit nga ministritë përkatëse, MAShT dhe MPMS, theksuan se viteve të fundit ka filluar implementimi i strategjisë për funksionalizimin e mirëfilltë të shkollave profesionale në Kosovë. Po ashtu, është theksuar se duhet të ketë një koordinim sa më të mirë ndërmjet dy ministrive në harmonizimin e politikave për të arritur rezultate konkrete në arsimimin dhe punësimin e këtyre të rinjve dhe të rejave.

Lah Nitaj nga Ministria e Arsimit, tha se është arritur progres i mirë në konsolidimin infrastrukturor me krijimin e kushteve për të gjithë të rinjtë që ndjekin arsimin në Kosovë.

“Kemi krijuar partneritete të qëndrueshme me punëdhënësit, me organizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, tashmë jemi në një fazë kur i kemi të gjitha parakushtet që me hapa konkret ta lehtësojmë vizionin tonë në të mirë të të rinjve në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.

Ai theksoi se Kosova ka më shumë se gjysmën e popullsisë në moshën 25 vjeçare, “ky fakt në vetë vete imponon nevojën që ne si shoqëri, si vend, si institucione të jemi shumë të fokusuar në krijimin e parakushteve dhe në dhënien e mundësisë për gjetjen e një vendi të punës”.

“Vizioni i Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit është rruga e integrimeve euroatlantike, ne duhet që përveç, që të përmbushim nevojat e tregut tonë duhet edhe të mendojmë edhe në një version më të gjerë në atë të integrimeve që të rinjtë tanë të kualifikuar në shkathtësi të jenë konkurrent dhe të mund të zënë vende pune dhe të ofrojnë shërbime jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon edhe më gjerë”, tha ai.

Fatmir Haxholli nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se ai nuk mendon se duhet të punojmë më ngushtë për zhvillimin e arsimit profesional.

“Nuk është bërë mjaftueshëm në zhvillimin e më shumë standardeve të cilat do t’i shërbejnë edhe tregut edhe ofruesve të shërbimeve të aftësimit dhe të arsimit profesional që ta ndërlidhim më mirë tregun e punës në arsimin profesional.

“Sistemi i arsimit edhe si shërbim publik i punësimit reagon, por nuk reagon sikurse sektori privat, sepse zhvillimi i tregut të punës dhe zhvillimet ekonomike sot janë shumë dinamike dhe nuk është e mundur për të shkëputur prej partnerëve privat”.

“Ne nuk mundemi të mburremi me shkolla profesionale, mendoj se kanë kapacitete që të kenë një fleksibilitet më shumë kur është në pyetje një partneritet publiko privat, por këta varen prej donatorëve nëpër shkolla dhe nuk mund të kemi një buxhet i cili do të kishte një fond i cili do të menaxhohej”, tha Haxholli.

Studimi ka dalë me disa rekomandime që ndërlidhen me qeverisjen e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), të gjinden mënyra më efikase në ndërlidhjen e AAP-së dhe tregut të punës si dhe të ketë përgatitje më të mirë të fuqisë puntore si për tregun e brendshëm ashtu edhe për atë të jashtëm.

Rekomandime janë dhënë edhe për një bashkëpunim me diasporën në avancimin e AAP-së dhe të shfrytëzohen struktura në kuadër të diasporës për bashkëpunim të mundshëm në AAP, më saktësisht në identifikimin e sinergjive, ekspertëve, të diplomuarve dhe të tjerëve që do të mund të kontribuonin në avancimin e sistemit. Në fund janë dhënë edhe rekomandime për reformat në arsim, përmirësimin e legjislacionit sekondar, zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve si dhe rishikimin e formulës së financimit, gjegjësisht që financimi të bazohet ne performancë.

 

Të ngjashme