Agjencia për Informim dhe Privatësi përmes një njoftimi për media bën të ditur se është duke ndjekur me shumë vëmendje nivelin e respektimit të privatësisë së qytetarëve nga institucionet publike, me theks të veçantë nga institucionet shëndetësore, si kontrollues të të dhënave personale.
Në njoftim thuhet se në rrethanat e krijuara në vendin tonë nga përhapja e virusit COVID 19, është mëse e domosdoshme që të shkëmbehen informacione në mbështetje të përpjekjeve për të trajtuar këtë pandemi globale.
“Megjithkëtë, ky shkëmbim duhet bërë në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me të dhëna të ndjeshme, publikimi pa kritere i të cilave mund të përbëjë ndërhyrje në privatësinë e individit”, thuhet më tej.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi këshillon personelin mjekësor, i cili po bën punë vetëmohuese në parandalimin dhe trajtimin e të gjithë atyre që po kërkojnë ndihmë, që të ndajë të dhënat e pacientëve të dyshuar apo të prekur nga ky virus vetëm me profesionistët shëndetësorë, duke iu përmbajtur parimit të kufizimit të qasjes në këto të dhëna, për të mos i ndarë ato me palët e treta pa pëlqim paraprak të subjektit të të dhënave”.
Njëkohësisht, Agjencia kërkon nga mediumet si nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, që në përmbushje të misionit të tyre të informimit të plotë e të drejtë të publikut, të jenë të kujdesshëm në respektimin e dinjitetit njerëzor dhe jetës private të qytetarëve.
Në funksion të gjendjes së krijuar dhe masave të marra për parandalimin e saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi inkurajon qytetarët që, në rast se kanë ankesa si për qasje në dokumente publike, ashtu edhe për mbrojtjen e të dhënave personale, t’i paraqesin ato vetëm përmes postës elektronike në adresën: [email protected] dhe/[email protected].