Bale do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” vetëm nëse i premtohen më shumë minuta.
Jonathan Barnett, agjenti i Gareth Bale, ka thënë se Real Madridi duhet t’i premtojë uellsianit më shumë minuta dhe se do të jetë startues i rregullt nëse duan ta mbajnë.
Bale la gjithçka të hapur për të ardhmen muajin e kaluar pas finales së Champions League në fitoren 3-1 kundër Liverpoolit, duke shprehur pakënaqësinë për mungesën e ndeshjeve nën urdhëratë e Zinedine Zidane.
Francezi më pas befasoi të gjithë duke lënë klubin, që tani është në duar të trajnerit, Julen Lopetegui, të cilin e pret një sezon i nxehtë.
“Mendoj se duhet të takohemi me Madridin për të parë se si do të shkojnë gjërat”, tha Barnett për “Sky Sports News”.
“Ai dëshiron një vit më të mirë se të kaluarin. Dëshiron të luajë më shumë, ky është objektivi i tij”.
“Mendoj se ai është një ndër tre më të mirët në botë. Një lojtar si ai, duhet të luajë. Nuk ka të bëjë me para”.
“Bale dëshiron ta fitojë Topin e Artë dhe mendoj se mundet”, shtoi mes tjerash agjenti i lojtarit.
Bale shënoi dy herë në fitoren 3-1 kundër Liverpoolit në Kiev – i pari në mënyrë akrobatike – duke ndihmuar Los Blancos që të fitojnë titullin e tretë me radhë të Champions League.