AGK: Dënojmë ashpër kërcënimin ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se e kanë marrë me shqetësim informacionin se është tentuar të digjet vetura e gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

AGK kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë.

“Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se mbrëmë në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës”.

“Sipas Kajtazit, PK ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu Forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina. AGK menjëherë ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës që të marrë më shumë informacione rreth këtij rasti. AGK kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e AGK’së.

Tutje në këtë kumtesë thuhet se kërcënimet e tilla për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, të cilat e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë. 

Të ngjashme