Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar nga tri sindikatat e Radio Televizionit të Kosovës, pas vonesës së pagave për punonjësit e transmetuesit publik.
Përmes një reagimi publik, AGK-ja ka deklaruar se qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të RTK-së, të cilët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit paraprak.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të RTK-së, të cilët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit paraprak”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka bërë të ditur se e përkrah protestën e paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, duke njoftuar se do t’i bashkohet asaj.
“Tri sindikatat, Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë paralajmëruar protestë për të martën. AGK-ja e përkrah këtë protestë dhe do t’i bashkohet asaj”, theksohet në postim.
Asociacioni ka shprehur shqetësim për gjendjen financiare të RTK-së, duke vlerësuar se situata ka lënë pa paga rreth 700 punonjës të institucionit.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar nga gjendja aktuale financiare e RTK-së, e cila i ka lënë sërish pa paga 700 punonjësit e saj”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka kërkuar nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zgjidhjen e problemit.
“AGK-ja kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që të punojnë për të gjetur një zgjidhje urgjente, në mënyrë që pagat të procesohen sa më shpejt”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje institucioneve qeveritare që të ndihmojnë në tejkalimin e krizës financiare, duke kërkuar njëkohësisht respektimin e pavarësisë editoriale të transmetuesit publik.
“AGK-ja i kërkon gjithashtu Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdon të ndajë buxhet minimal për RTK-në, që të ndihmojë brenda kompetencave të saj për tejkalimin e kësaj situate të rënduar. Në të njëjtën kohë, AGK-ja i kërkon Qeverisë që të ndalojë ndërhyrjet dhe presionin ndaj pavarësisë editoriale të Transmetuesit Publik”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka theksuar se angazhohet për një ambient dinjitoz pune për punëtorët e RTK-së, duke ngritur shqetësimin se një pjesë e tyre janë përballur me presione të vazhdueshme nga menaxhmenti.
“AGK-ja avokon për një ambient dinjitoz pune për punëtorët e RTK-së, një pjesë e të cilëve tash e disa kohë përballen me presione të formave të ndryshme nga menaxhmenti”, thotë reagimi.