Ahmeti: Akuzat e Çelajt qesharake, çerdhet të bazuara në ligjet e MAShT-it

Prishtinë | 28 Pri 2017 | 16:00 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, akuzat e kryetarit të degës së PDK-së në kryeqytet Lirak Çelajt, për dhënien e pronës publike në mënyrë joligjore, i ka quajtur qesharake dhe të pabaza.

Ahmeti në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se çerdhet me bazë në komunitet janë ndër projektet apo institucionet më të suksesshme dhe se për ndërtimin e tyre i kanë kaluar të gjitha pengesat.

“Mendoj se janë akuza qesharake. Çerdhet me bazë në komunitet janë ndër projektet apo institucionet më të suksesshme që kemi pasur në këtë mandat tre vjeçar, sepse i kemi anashkaluar shumë pengesa që kanë mundur me na dal për me i hap pesë çerdhe për një periudhë tre vjeçare”, ka thënë ai.

I pari i Prishtinës ka thënë se për ndërtimin e 5 çerdheve në komunitet, janë bazuar në ligjet aktuale që MAShT-i i ka në fuqi dhe se projekti i tillë është bërë në koordinim të plotë me prindërit.

“Ne e kemi përdorur një udhëzim administrativ që e ka lëshuar Ministria e Arsimit në vitin 2007 për të mundësuar çerdhet të janë të bazuar në vendimmarrje në lagje apo në komunitet dhe ato çerdhe udhëhiqen nga vetë prindërit që i kanë fëmijët në ato institucione, Ata edhe kyçen në vendimmarrje edhe i kontrollojnë financat e çerdheve edhe interesohen shumë më shumë për mbarëvajtjen apo punën e çerdheve shumë më shumë sesa të tjerët . Shkoni ti vizitoni ato çerdhe, krahasoni me ato që i kemi pasur publike dhe mund ti shihni dallimet edhe në funksionim edhe në mirëmbajtje edhe në qeverisje edhe në cilësinë e kujdesit për fëmijë”, ka thënë ai.

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Prishtinë, Lirak Çelaj, dje në një konferencë për media denoncoi publikisht kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, për dhënien e pronës publike në mënyrë joligjore.

Të ngjashme