Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik në shkollat e Kosovës, edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnline se në shumë shkolla vazhdojnë të mungojnë librat e klasës dhe librat amë, të cilët janë pjesë e dokumentacionit elementar për zhvillimin dhe evidentimin e rregullt të procesit mësimor.
Sipas Ibrahimit, kjo situatë nuk mund të arsyetohet vetëm si një vonesë teknike, por tregon, siç ka deklaruar ai, mungesë planifikimi, koordinimi dhe përgjegjësie institucionale.
“Edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor, shkollat në komunat e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai theksoi se pasojat e kësaj situate po i bartin komunat, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.
AKK-ja i ka bërë thirrje Ministrisë që të sigurojë dhe shpërndajë menjëherë dokumentacionin pedagogjik në shkollat e komunave të Kosovës.
Po ashtu, Asociacioni kërkon që MASHTI t’i njoftojë komunat për afatin e saktë të furnizimit, të sqarojë publikisht arsyet e vonesës dhe të vendosë një bashkëpunim e koordinim të rregullt me drejtoritë komunale të arsimit.
“Viti shkollor nuk mund të fillojë me improvizime. Institucionet përgjegjëse duhet t’i përmbushin obligimet e tyre para se nxënësit të hyjnë në klasa, e jo pasi të ketë filluar java e dytë e mësimit”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, arsimi kërkon përgjegjësi dhe planifikim, jo neglizhencë dhe improvizim.