Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 75 (ShAL 75).
Në këtë valë të shitjeve janë përfshirë gjithsej 258 asete, të shpërndara në të gjashtë rajonet e Kosovës. Asetet përfshijnë njësi bujqësore, prona rezidenciale, objekte komerciale, depo dhe lokale afariste.
Sipas AKP-së, një pjesë e pronave kanë tokë të përshtatshme për bujqësi intensive dhe pemëtari, ndërsa të tjerat ofrojnë mundësi për zhvillim të banimit, investime afariste, logjistikë dhe magazinim.
“Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Pronat e ofruara kanë sipërfaqe të ndryshme, duke filluar nga njësi të vogla të përshtatshme për investitorë individualë, deri te prona më të mëdha me potencial për zhvillim rural, agrobiznes dhe projekte banimi.
Ofertat e mbyllura për asetet në shitje duhet të dorëzohen më 9 shtator 2026, në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand” në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në 12:00. Ofertat duhet të shoqërohen me depozitën dhe tarifën për paraqitjen e ofertës, sipas kushteve të përcaktuara për secilën njësi.
Hapja e ofertave do të bëhet po atë ditë, duke filluar nga ora 12:30.
AKP ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe palët e interesuara mund të marrin informata shtesë dhe të vizitojnë pronat që janë në shitje.
“AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur dhe të mos e humbin këtë mundësi për të investuar në prona me vlerë dhe me potencial të madh zhvillimor”, thuhet në njoftim.
Për informata më të hollësishme dhe për kushtet e pjesëmarrjes në shitje, AKP ka udhëzuar të interesuarit që të kontaktojnë institucionin ose të konsultojnë informacionet e publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë.