Në orët e para të ditës së sotme (00:50), në rrugën “Faruk Spahija” në Mitrovicë ka ndodhur një aksident në të cilin ka humbur jetën M. XH., 36 vjeçar, ndërsa kanë mbetur të lënduar dy persona të tjerë, njofton policia e Mitrovicës.
Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje, nga hetuesit e Njësisë së Trafikut Rajonal, bëhet e ditur se shkaktar dyshohet të ketë qenë pakujdesia e ngasësit, i cili humb kontrollin mbi automjetin duke përfunduar jashtë rrugës.
“Lëndime trupore kanë pësuar dy pasagjerë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, prej nga njëri dërgohet për tretman të mëtejmë në QKUK në Prishtinë dhe tjetri lirohet në shtëpi. Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit të Shtetit është dërguar në Mjekësinë ligjore për obduksion”- njofton tutje komunikata.