Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të trafikut në fshatin Smrekonicë, ku humbën jetën dy të rinj nga Komuna e Mitrovicës.
Peci u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, Qëndrim Xhemajli dhe Rinor Zejnullahu.
“Ditë e rëndë për Mitrovicën!”, ka shkruar Peci në një postim në Facebook.
“Jam thellësisht i prekur me rastin tragjik të aksidentit të sotëm që i mori jetën dy të rinjve të Komunës së Mitrovicës në moshë shumë të re”, ka deklaruar ai.
Peci u ka shprehur ngushëllime familjeve Xhemajli dhe Zejnullahu, duke thënë se humbja e tyre prek jo vetëm familjarët, por gjithë qytetin.
“Ngushëllime familjeve Xhemajli dhe Zejnullahu për humbjen e më të dashurve të tyre, Qëndrimit dhe Rinorit. Kjo humbje nuk është humbje vetëm për familjet e të afërmit, por për gjithë qytetin”, ka shkruar ai.
“Shpirti i tyre u prehtë në paqe, e kujtimi për ta qoftë i përjetshëm!”, ka përfunduar Peci.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:53 në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Smrekonicë.
Në aksident është përfshirë një veturë me dy persona, shoferin dhe pasagjerin. Të dy janë dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të dy viktimave, të moshës 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti po hetohet nga Njësia Rajonale e Trafikut, në koordinim me prokurorin kompetent, me qëllim të zbardhjes së rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.