Akuzohet se vrau gruan në Gjermani, kosovari deklarohet i pafajshëm në gjykatë

Prishtinë | 28 Sht 2021 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari Afet Gunter Vila u deklarua i pafajshëm për vrasjen e gruas dhe therjen e shoqes e vajzës së gruas më 2002 në Gjermani.

Këtë deklarim edhe në këtë fazë të procedurës, i akuzuari e bëri të hënën  në shqyrtimin gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Rasim Maloku, në fjalën e tij hyrëse deklaroi se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të prezantohen prova siç janë prezantuar në aktakuzë dhe do të vërtetohet gjendja faktike.

Ndryshe nga deklarimi i prokurorit, mbrojtësi i të akuzuarit Afet Gunter Vila, avokati Avni Ibrahimi tha se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të prezantojë rrethana dhe fakte nga të cilat do të rezultojë se në ngjarjen kritike e cila është lëndë e akuzës, te klienti i tij nuk ka ekzistuar “dashja” që të privonte nga jeta gruan e tij, si dhe të plagoste shoqen dhe vajzën e gruas së tij.

“Pikërisht, provat e aktakuzës do të tregojnë se nuk ekziston dashja, në veprat penale siç përshkruhen në akuzë”, ka thënë avokati Ibrahimi

Në seancën e sotme munguan të dëmtuarat – dëshmitaret, Helene Gunter dhe Diana Kuchler, si dhe dëshmitaret Helene Wagner dhe Marina Prief, për të cila nuk kishte prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Lidhur me mungesën e dëshmitareve , prokurori Rasim Maloku propozoi që të bëhet përpjekje që të sigurohet prezenca e të njëjtave për shqyrtimin e radhës, me qëllim të efikasitetit të procedures dhe propozimin e tillë nuk e ka refuzuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Ibrahimi e më pas e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, Kadrie Goga Lubishtani.

Kryetarja e trupit gjykues, Kadria Goga Lubishtani tha se seanca u caktua për një datë më të përshtatshme, për arsye se të dëmtuarat-dëshmitaret janë shtetase të Gjermanisë, andaj për sigurimin e të njëjtave kërkohet kohë e mjaftueshme nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasada Gjermane, për të siguruar prezencën e tyre dhe për të verifikuar adresat e sakta.

Andaj, në këto rrethana seanca u shty dhe e radhës u caktua më 6 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2002, në dhomën e pritjes të banesës së përbashkët familjare në rrugën Dietrichstrase nr.4 në Bad Oeynhause, Republika e Gjermanisë, Afet Gunter Vila. me dashje e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij Irene Gunter pas mosmarëveshjeve të vazhdueshme që kishte me tani të ndjeren gjatë periudhës njëvjeçare sa kishin jetuar së bashku në banesë.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të xhelozisë që i pandehuri e kishte ndaj bashkëshortes së tij, për të cilën dyshonte se po e tradhtonte me persona të tjerë, në ditën kritike i pandehuri kishte tentuar ta marrë në telefon disa herë, por bashkësortja e tij Irene nuk ishte lajmëruar pasi e kishte harruar telefonin në banesë, derisa me shoqen e saj Dianën kishin shkuar për të marrë me qira disa CD me filma.

Tutje, sipas dispozitivit I të aktakuzës, me t’u kthyer në banesë bashkëshortja e të pandehurit me shoqen e saj, ku aty po qëndronte dhe vajza e saj Helena, i pandehuri fillimisht i kërkon llogari bashkëshortes Irenës, se pse nuk është përgjigjur në telefon, duke ngritur zërin vazhdimisht, kurse Irene kishte tentuar ta bind se telefonin e kishte harruar në banesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pas kësaj ishte acaruar dhe më shumë duke e përmbysur një tavolinë, e pastaj Irenën e kishte kërcënuar me fjalët “Ti do të vdesësh”, kurse Dianës, shoqes së Irenës i kishte kërkuar që të largohej nga banesa, me ç’rast e njëjta kishte refuzuar.

Më pastaj, i pandehuri, e kishte kapur me dy duar për supe Irenën, duke e shkundur para-mbrapa, e cila arrin ta largojë të pandehurin, mirëpo i njëjti e kishte tërheq për flokë, me ç’rast kishin ndërhyrë Diana-shoqja e saj dhe Helena-vajza e saj që ta largojnë nga i pandehuri.

Por, sipa padisë, i pandehuri atëherë kishte marrë një thikë nga kuzhina me teh rreth 20 cm, me të cilën kishte goditur një herë Dianën-shoqën e Irenës në pjesën e krahërorit e pastaj Helenën-vajzën e Irenës në pjesën e barkut, e pastaj ishte afruar Irena, të cilën e kishte goditur tri herë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse për shkak të gjakderdhjes së madhe, kështu e njëjta të nesërmen kishte vdekur në spitalin e Bad Oeynhausen-it.

Me këtë, i akuzuari ka kryer veprën penale “Vrasja“ nga neni 30 paragrafi 1 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas dispozitivit II të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës Helene Gunter (vajzës së të ndjerës Irene Gunter, e moshës 14 vjeçare) dhe Diana Kuchler (Shoqja e të ndjerës), në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke u grindur me tani të ndjerën Irena Gunter, e dëmtuara Diana Kuchler kishte tentuar të thërrasë policinë përmes telefonit.

Atëherë, i pandehuri me thikë kuzhine me gjatësi 20 cm kishte goditur të dëmtuarën Diana Kuchler në anën e djathtë të kraharorit duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese tamgjenciale, të cilat kishin shkaktuar dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohëshme për shëndetin e të dëmtuarës.

Tutje, më pastaj i pandehuri kishte goditur të dëmtuarën Helene Gunter- vajzën e të ndjerës, në pjesën e barkut, duke i shkaktuar plagë prerëse në anën e majtë të abdomenit me dëmtim të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit (zorrës qorre), në retroperitoneum, me ndërhyrje operative, heqje të një pjese të zorrës së hollë dhe apendiksit, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.

Me këtë ka kryer veprën penale “Plagosja e Rëndë” nga neni 38 paragrafi 2 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme