Alarm te Juventusi, Allegri hetohet për pastrim parash dhe përfshirjen në baste

Prishtinë | 06 Qer 2021 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët kundër pastrimit të parave në bankën e Italisë kanë kthyer vëmendjen nga trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja italiane “La Verita”, e cila ka publikuar një artikull që zbulon se kjo zyrë brenda Bankës së Italisë ka marrë disa raporte për transaksione të dyshimta, që lidhin Allegrin me botën e lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Hetimet janë në proces dhe pretendohet të kenë të bëjnë veçanërisht me disa transaksione të bëra në llogarinë rrjedhëse të Allegrit, nga një kompani malteze e akuzuar për mashtrim të rëndë, evazion fiskal dhe lidhje me ‘Ndragheta-n’.

Në tërësi bëhet fjalë për plot 7 transferime të marra nga trajneri në periudhën 2018-2021, me një vlerë totale prej 161 mijë eurosh, të cilave u shtohen edhe 168 mijë euro të ardhura nga një kompani sllovene që menaxhon hotele e kazino, si dhe një 140 mijë euro nga një bankë private në Monte Carlo.

Për momentin nuk përjashtohet që këto të ardhura të jenë fitime ligjore të trajnerit, megjithatë përsëritja e disa shumave të njëjta hedh dyshime për një skemë të pastrimit të parave, ndaj e vërteta pritet të zbulohet në përfundim të hetimit.

Një tjetër detaj që zbulohet në artikullin e të përditshmes italiane është edhe fakti që nga karta e kreditit e Allegrit janë shpenzuar rreth 500 mijë euro në kompani lojërash fati, kryesisht në një kazino në Monte Carlo dhe një tjetër në Slloveni.

Kur ka shifra të tilla sinjalizimet janë të zakonshme, megjithatë hetimi pritet të hedhë dritë mbi rastin në fjalë. Gjithsesi e përditshmja italiane nënvizon se në bazë të dokumenteve që disponon evidentohet lidhja e Allegrit me lojërat e fatit, por jo ajo me bastet sportive, diçka e ndaluar për profesionistët e futbollit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme