Organizata Albanians For America (AFA), e përfaqësuar nga Doc Vranici mori pjesë këtë për herë të parë në takimin e Koalicionit të Evropës Qendrore dhe Lindore në Capitol Hill,
Ky koalicion u themelua në vitin 1994 që përbëhet nga 18 organizata kombëtare që përfaqësojnë komunitetet amerikane me prejardhje nga Evropa Qendrore dhe Lindore. CEEC punon për forcimin e partneritetit të Shteteve të Bashkuara me rajonin dhe për avancimin e një Evrope Qendrore dhe Lindore të lirë, të sigurt dhe demokratike.
Gjatë takimeve në Kongresin amerikan, AFA, së bashku me organizatat e tjera anëtare të koalicionit, avokoi për çështje me rëndësi strategjike, përfshirë agresionin rus kundër Ukrainës, situatën në Gjeorgji, sanksionet ndaj Rusisë, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, mbështetjen për organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri vitin e ardhshëm, si dhe vazhdimin e mbështetjes për iniciativat e sigurisë në shtetet baltike. Mesazhi i përbashkët i të gjitha organizatave anëtare ishte domosdoshmëria e kundërvënies ndaj agresionit rus dhe ndikimit keqdashës të Kinës në rajon.
Në kuadër të delegacionit të CEEC-së, AFA mori pjesë në konferencën në Capitol Hill me temën “Rritja e qëndrueshmërisë: Një vështrim nga Qendrat e Ekselencës së NATO-s në vendet baltike”, me pjesëmarrjen e kongresmenëve Don Bacon dhe Salud Carbajal, si dhe të zyrtarëve të lartë nga Lituania, Letonia dhe Estonia.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu takime me Kristine Berzina nga Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara, si dhe takime dypartiake me zyrat e senatorit Chris Coons (D-DE), senatores Elissa Slotkin (D-MI), kongresistit Keith Self (R-TX), kongresistit Zach Nunn (R-IA) dhe kongresistit French Hill (R-AR). Diskutimet u përqendruan në forcimin e angazhimit të SHBA-së në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në avancimin e politikave që mbështesin sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Përveç aktiviteteve në kuadër të koalicionit, AFA zhvilloi një takim me një anëtar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pranë Zyrës Ekzekutive të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në Ndërtesën Ekzekutive Eisenhower, ku u diskutua angazhimi i SHBA-së në Ballkan dhe çështjet që prekin shqiptarët në rajon.
AFA zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Ilir Dugolli, ku u diskutuan zhvillimet aktuale dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA–Kosovë.Gjatë vizitës në Uashington, delegacioni u nënshkrua në librin përkujtimor në nderim të senatorit Lindsey Graham.
Teksa zgjeron praninë e saj në Uashington, AFA mbetet e përkushtuar që zëri i shqiptaro-amerikanëve të përfaqësohet aty ku hartohen politikat. Organizata shpreh mirënjohje për partnerët, ligjvënësit dhe organizatat anëtare të CEEC për bashkëpunimin dhe pret të ndërtojë mbi këto partneritete në funksion të lirisë, sigurisë, forcimit të marrëdhënieve SHBA–Shqipëri dhe SHBA–Kosovë, si dhe të një Evrope Qendrore dhe Lindore më të sigurt.



