Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 85- vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti i uroi profesorit Rexhep Qosja jetë të gjatë dhe krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.
Ai theksoi se vepra e Rexhep Qosjes është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.
“Librat e Rexhep Qosjes dhe të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë ngriheshin në duart e demonstruesve përballë shkopinjve dhe armëve të policisë dhe, siç na dëshmon historia e përbotshme, libri e pena janë kurdoherë fitimtarë,” tha Kryeministri Kurti.
Ai përgëzoi İnstitutin Albanologjik të Prishtinës dhe Kolegjin AAB, për nismën e qëlluar për shënimin e një përvjetori kaq të rëndësishëm sa edhe kuptimplotë e obligues për të gjithë neve.
Fjalimi i Kryeministrit Kurti në akademinë solemne për 85- vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja
I nderuari Kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa,
I nderuari Rektor i Kolegjit AAB, z.Bujar Demjaha,
I nderuari Drejtor i Institutit Albanologjik, z.Hysen Matoshi,
Të nderuar profesorë Agim Vinca, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, profesorë e studentë,
ju falënderoj për ftesën e dërguar dhe ju përgëzoj për nismën e qëlluar për shënimin e një përvjetori kaq të rëndësishëm sa edhe kuptimplotë e obligues për të gjithë neve.
Sot, na ka bashkuar Rexhep Qosja, na ka bashkuar 85-vjetori lindjes së tij, na ka bashkuar emri i shumërespektuar, vepra e tejvlefshme, shumëpalëshe, e shumëllojshme dhe kolosale si dhe trashëgimia e nduarnduarshme e shumësegmentore filozofike, pedagogjike, intelektuale, kulturore, krijuese, letrare e publicistike, politike dhe historike.
Më lejoni pra zonja dhe zotërinj, profesorë e studentë, dhe gjithë ju të pranishëm, që duke ju përshëndetur juve të gjithëve bashkërisht, të përshëndesim të gjithë tok, profesorin dhe akademikun, krijuesin e gjithanshëm dhe personalitetin tonë të madh Rexhep Qosja, t’i urojmë jetë të gjatë e të lumtur, t’i urojmë krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.
Urime profesor!
Sot pra nderojmë dhe urojmë akademikun Rexhep Qosja, në ditëlindjen e tij, shkrimtarin, studiuesin dhe intelektualin publik, emrin e përveçëm të veprës së tij monumentale, e cila tashmë është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe dëshmi e një kohe.
Rexhep Qosja duket sikur nuk ka moshë, sepse vepra e tij është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, 70-ta, 80-ta, 90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe. Librat e Rexhep Qosjes dhe të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë ngriheshin në duart e demonstruesve përballë shkopinjve dhe armëve të policisë dhe, siç na dëshmon historia e përbotshme, libri e pena janë kurdoherë fitimtarë.
Pena e librat e Rexhep Qosjes, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Ukshin Hotit, Ismail Kadaresë e të tjerë shkrimtarëve e studiuesve kanë qenë armët tona, prandaj edhe në fund fituam ne.
Për veprën poliedrike të Rexhep Qosjes flet më së miri opusi i tij krijues dhe, ende i pa botuar tërësisht e i pa përfunduar, e që qysh tash përbën një bibliotekë të tërë në vete. Flasin edhe një mori veprash dhe qindra studimesh, esesh e artikujsh. Flasin edhe arkivat e pagjurmuara dhe ende të paklasifikuara.
Do të mjaftonte të vihet në peshore vetëm thesari krijues i Institutit albanologjik, themeltar dhe drejtues i të cilit ishte, për të dëshmuar peshën e pamatshme te kontributit jetësor të profesor Rexhep Qosjes.
Vepra e Qoses nuk ka moshë, sepse nuk ka moshë romanticizmi i Rilindjes Kombëtare, për të cilin ai ka shkruar studime të shumta, që na i kanë sjellë më pranë dhe na i kanë bërë më të dashur, madje të domosdoshëm, rilindësit tanë të shquar, sidomos Naim Frashërin dhe Asdrenin, e të cilëve profesor Qosja u ka kushtuar monografi të plota. Studimet e tij kritike nuk kanë qenë të kufizuara vetëm me epokën e Rilindjes, por kanë ndjekur me rigorozitet dhe përkushtim shkencor evoluimin e letërsisë moderne shqipe. Pena e tij e rreptë ndonjëherë mund të ketë zemëruar krijuesit e rinj, por si për t’u treguar atyre se ai mund të matej me ta në fushën e tyre, i barabartë me ta, Rexhep Qosja ka shkruar romane e drama që kanë shënjuar modernitetin e prozës shqipe, që nga Vdekja më vjen prej syve të tillë, Mite të zhveshura e deri te romani i tij i fundit Të fshehtat e treguara.
Sot i gëzohemi ditëlindjes së intelektualit publik që çështjen shqiptare e ka mbrojtur me guxim dhe dinjitet si në forumet e ish-federatës jugosllave, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Veç titulli i librit Populli i ndaluar, botuar në vitin 1990, mjafton për të rrokur në një togfjalësh historinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si parathënie e asaj që do të vijonte në dy dekadat e ardhshme. Angazhimi i Rexhep Qosjes në politikën e Kosovës, me gjithë polemikat dhe kundërshtitë e pashmangshme, moskuptimet e mëritë që mund të ketë lënë te të tjerët, nuk është shkëputur aspak nga përpjekja intelektuale për ta ruajtur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe për ta ngjizur atë në program politik në rrethanat e kohës. Sërish titujt e veprave flasin vetë: Strategjia e bashkimit kombëtar, Ideologjia e shpërbërjes, Rilindja e dytë, Kosova dhe Shqipëria: Si janë dhe si duhet të jenë. Për sa kohë që përpjekja shqiptare për bashkim e përparim nuk është vetëm historike, por edhe aktuale, këto e të tjera vepra të Rexhep Qosjes nuk do të kenë moshë.
Edhe njëherë, i urojmë akademikut e intelektualit tonë të madh e të dashur të jetojë dekada të reja e të tjera, për ta parë idealin e tij të realizuar!
Ju faleminderit.