Albulena Haxhiu: Ekipi Negociator në shërbim të plotë të Hashim Thaçit, në Bruksel nuk përfaqësojnë opozitën e as qytetarët

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se përfaqësuesit e partive në ekipin negociator janë parti minore dhe asnjëri nga ta nuk përfaqëson opozitën.

Në një prononcim për klankosova.tv, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se ekipi negociator i cili sot bëri dhe paraqitjen e parë përballë Federica Mogherinit, ndërmjetësuese e dialogut me Serbinë, është ekipë në shërbim të presidentit Hashim Thaçi por jo në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës.

”Së pari duket që as ekipi vet nuk e dijnë se pse ishin në Bruksel. Komplet të çakorduar, pa asnjë plan, pa kushte dhe pa parime. Këto takime kësisoj, kjo formë e negociimit me Serbinë, sidomos nga viti 2011-2017 nuk ka qenë në interes të Kosovës madje këto negociata e kanë forcuar pozicionin e Serbisë në Republikën e Kosovës”.

”Për ne këto negociata kanë qenë të papranueshme madje sot është vërtetuar që kemi pasur të drejtë në kundërshtimin tonë sepse përderisa këto negociata kanë dëmtuar Kosovën qoftë për së brendshmi, qoftë në aspektin ndërkombëtar, në anën tjetër ia kanë lehtësuar rrugën Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo formë e dialogimit është për Serbinë dhe assesi për Kosovën. Prandaj ne besojmë që nuk është dashur të niset asnjë fazë e dialogut me Serbinë por së pari të bëhet një bilanc dhe vlerësim i së kaluarës e pastaj listë kërkesash për Serbinë. Ekipi në fjalë nuk përfaqëson interesat e Kosovës, por janë në shërbim të plotë të Hashim Thaçit”.

”Në vend se të angazhoheshin për pavlefshmërinë e aventurave të rrezikshme të Hashim Thaçit ata u bën vagonë të tij prandaj ky proces do të jetë sërish në favor të Serbisë dhe sërish do të përsëriten gabime që do t’i kushtojnë shumë vendit. Ne nuk do të jemi pjesë e këtyre pazareve, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm ato. Përfaqësuesit e partive në këtë ekip, janë parti minore, të njëjtit nuk përfaqësojnë opozitën, madje nuk përfaqësojnë as vullnetin e qytetarëve. Normalizimi nuk mund të ndodhë në këtë mënyrë”, ka përfunduar Haxhiu, njofton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme