Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e konfirmon vizitën e Palmer në Kosovë

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, gjatë javës së ardhshme pritet të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Vizita e Palmer në Kosovë është konfirmuar përmes një përgjigje nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Ambasada Amerikane thekson se Palmer gjatë vizitës në vendin tonë, do të zhvillojë takime me zyrtarë të shtetit për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale në mes të dyja vendeve.

“Javën e ardhshme, Zëvendës-ndihmës sekretari Palmer do të qëndroj në Prishtinë, për t’u takuar me zyrtarët qeveritarë dhe për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona bilaterale. Sa i përket EUSR Lajcak, ju lutemi të ju referoheni zyrës se BE-se”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Përpos, Palmer gjatë javës së ardhshme për vizitë në Kosovë do të qëndrojë edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndryshe Gazeta Online “Reporteri.net” ishte mediumi i parë që raportoi mbrëmë për vizitën e Palmer dhe Lajçak në Kosovë.

Ndonëse takimet parashihen për të hënën, arritja e tyre në Kosovë parashihet të ndodhë një ditë para.

Kjo vizitë e paparalajmëruar e Palmer dhe Lajcak në Prishtinë, pritet të ndodhë pak para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, që ndonëse nuk ka datë zyrtare pritet që të rinisë pas pak javësh, në qershor të këtij viti.

Të ngjashme