Ambasadori amerikan në Beograd kërkon heqjen e menjëhershme të barrikadave

Prishtinë | 28 Dhj 2022 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, thekson se SHBA-të i kuptojnë zhgënjimet e komunitetit serb në Kosovë dhe shton se populli serb ka të drejtë të dijë se cila është e ardhmja e tij në Kosovë.

“E kuptoj që këto zhgënjime nuk janë shfaqur deri para disa ditësh dhe se kanë kohë që ekzistojnë. Në fund të fundit, komuniteti serb ka qenë në Kosovë me shekuj dhe ata kanë të drejtë të dinë se çfarë ka të ardhmen e tyre. Dhe pikërisht për këtë po flasim kur flasim për këtë dialog politik: të sigurohemi që komuniteti serb të jetojë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe të ndihet mirë në shtëpitë e tyre”,– tha Hill për portalin “Nova”.

Siç thotë ai, barrikadat janë padyshim problem.

“E parë nga këndvështrimi i komunitetit serb, kjo është një protestë për shumë prej tyre. Dua të them se e kuptuam pse e bënë dhe se i dëgjuam, por mendoj se ka ardhur koha që njerëzit që i vendosën ato barrikada t’i heqin. Shpresoj se ata do të jenë të gatshëm t’i heqin ato barrikada sa më shpejt të jetë e mundur” – tha Hill.

Të ngjashme