Analisti serb: Kosova është e pavarur me ose pa njohje nga Serbia

Prishtinë | 28 Jan 2023 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Publicisti serb Zlatoje Martinov ka thënë se Republika e Kosovës është e pavarur me apo pa njohjen e Serbisë. Këtë Martinov e ka potencuar në një shkrim autorial të publikuar në të përditshmen serbe “Danas” ku ka kritikuar mediat dhe politikën në Serbi se si e lejojnë Aleksander Vuçiqin që të vazhdojë me propagandën e tij se kinse duhet një kompromis me Kosovën dhe se “Serbia s’do të dorëzohet kurrë për Kosovën”.

Martinov thotë se është e çuditshme se si askush nga gazetarët në Serbi nuk e konfronton Aleksander Vuçiqin me faktin që Serbia e ka njohur edhe “de facto” Kosovën në momentin kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit.

Publicisti serb thotë se përmendja e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe pretendimi i Vuçiqit se kinse asgjë s’ka ndodhur është një shpikje propagandistike e presidentit të Serbisë dhe mediave që kontrollon pushteti në Serbi.

Ai kur kritikon mediat, shton se me dashje dhe vetëdije “po harrohet” se shpalljes së pavarësisë së Kosovës iu dha vula nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik 2010 kur konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

“Me dashje dhe me vetëdije po “harrohet” se shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë në vitin 2008, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nxori një vendim më 22 korrik 2010 se shpallja e pavarësisë nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, shkruan Martinov, raporton Express.

Publicisti serb tutje përmend edhe faktin e inkuadrimit të serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe betimit në Kuvend për besnikëri ndaj Kushtetutës së Kosovës.

“Siç dihet, serbët janë të përfshirë në pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës, kanë marrë pjesë në zgjedhjet komunale dhe parlamentare në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ministrat serbë në qeverinë e Kosovës si. si dhe deputetët serbë në parlamentin e Kosovës u betuan për besnikëri ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe me ato akte u shfuqizuan institucionet paralele”, shton tutje.

Martinov thotë se po të deklarosh në vitin 2023 se “nuk heqim dorë nga Kosova” apo “nuk do ta japim Kosovën” është njëjtë sikur t’i thuash çdo kreditori “Mos u shqetëso, sapo të fitoj lotarinë nesër, do të paguaj borxhin menjëherë”.

Publicisti serb tutje hedh dhe një tezë interesante sa i përket raporteve Kosovë-Serbi dhe propozimit franko-gjerman. Sipas tij, Nëse Kosova do ta njohë Serbinë apo Serbia Kosovës s’ka ndonjë rëndësi në ekzistencën apo funksionimin e të dy shteteve. Por thotë se një gjë e tillë do të ndihmonte në vendosjen e raporteve të mira politike dhe ekonomike dhe shton se gjithashtu do të eliminonte shfaqjet e shpeshta të Vuçiqit në televizion.

Martinov potencon se njohja eventuale e Serbisë s’ka rëndësi të madhe për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës derisa pesë vende të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet.

Ai thotë se Ëashingtoni dhe Brukseli më në fund e kanë kuptuar këtë gjë dhe sipas tij kjo është edhe arsyeja pse propozimi franko-gjerman nuk insiston në njohjen formale por vetëm në njohjen faktike që Martinov thotë se është e nënkuptueshme, e pamohueshme dhe e dukshme “me sy të lirë”.

Analisti serb thotë se pesë vendet e BE-së nuk do ta njohin Kosovën edhe sikur një gjë të tillë ta bëjë Serbia, meqë sipas tij ata s’e njohin Kosovën jo për shkak të Serbisë por për shkak të problemeve të brendshme politike.

“Sepse ne duhet ta dimë: pesë vende të BE-së nuk do ta njohin Kosovën edhe sikur ta njohë Serbia. Gjegjësisht, ata nuk e njohën Kosovën jo për shkak të Serbisë, por për shkak të mundësisë së lajmëruar shpesh të shkëputjes së disa provincave të tyre (Katalonia në Spanjë, komuniteti turk në Qipro, Erdelj në Rumani…)”, ka shtuar tutje, trasnmeton Express.

Martinov shkruan tutje se nga pikëpamja e poziciuonit ndërkombëtar, njohja nga Serbia është më pak e rëndësishme për Kosovën sesa njohja nga pesë vendet e BE-së, Rusia dhe Kina.

Prandaj sipas tij Perëndimi po insiston për një “garanci reciproke për integritetin territorial të dy vendeve”

Ai thotë se kjo është edhe arsyeja pse duhet të nënshkruhet propozimi franko-gjerman sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia të fillojnë rrugën për integrim evropian.

“Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të nënshkruajmë planin franko-gjerman sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të dy vendet (qoftë se e kanë njohur njëri-tjetrin apo jo) përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme të fillojnë integrimin evropian, sepse të dyja janë në Evropë dhe sigurisht ndajnë vlerat evropiane, jo disa vlera të tjera”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme