Apeli vendos për aktivistët e Vetëvendosjes

Prishtinë | 05 Qer 2017 | 14:58 | Nga

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve të të akuzuarve për sulmin në Kuvendin e Kosovës, duke e konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës.

Aktakuza ku të akuzuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi do të kalojë në shqyrtimin gjyqësor që nuk është caktuar ende.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

KALLXO.com sipas burimeve të veta mëson se Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtësve që kërkonin që aktakuza për sulmin në Kuvend të hidhej poshtë.

Aktivistët e Vetëvendosjes ishin arrestuar më 30 gusht 2016.

Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme