Arrestohen dy zyrtarë policorë për keqpërdorim detyre

Prishtinë | 07 Qer 2017 | 16:03 | Nga

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në dy raste të ndara ka realizuar me sukses dy operacione hetimore në konsultim edhe me prokuroritë kompetente.

Si rezultat i hetimeve të suksesshme në të dy rastet janë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë).

“Arrestimi i parë është realizuar më 02.06.2017 ku efektivat e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar  një të dyshuar  (një toger policor në pozitën e zëvendës komandantit të Stacionit Policor të Dragashit) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar të paraparë me nenin 422 në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Arrestimit i kanë paraprirë veprimet hetimore dhe informacioni i pranuar nga burimet e informacionit dhe me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e komandantit të këtij stacioni policor dhe shefit të operativës (toger policor)”.

Rasti tjetër (rasti i dytë) është realizuar më 05.06.2017  (07.10.2016) në Gjilan  ku IPK-ja ka arrestuar një zyrtar policor (nga Stacioni Policor i Kllokotit) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjilan me vendim të të cilit  të dyshuarit (zyrtarit policor) i  është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe i njëjti poashtu edhe është suspenduar”, thuhet më tej në njoftimin e IPK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme