Artistët ndërkombëtarë, të cilët ishin pjesë e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit (FNA), thanë se ndihen të impresionuar me mënyrën e organizimit të festivalit, me mikpritjen e UBT-së, si dhe me dëshirën, interesimin, kureshtjen, durimin dhe energjinë pozitive, që e kishin studentët e UBT-së, përgjatë gjithë kohës sa zgjati ky festival.
Atanur Dogan, President i IWS-së
“Pa asnjë mëdyshje mund të them që jam mahnitur me atë se çfarë kam parë këtu. Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për organizim të një festivali kaq të madh dhe prapë kemi arritur të shohim një organizim shumë të bukur.
Lirisht mund të them që, askush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për vetëm dy muaj, duke përfshirë këtu mbledhjen e artistëve nga e tërë bota, planifikimin e udhëtimeve tona, sidomos për ata që kanë ardhur nga kontinente të ndryshme.
Falë këtij organizimi, të gjithë kolegët tanë, tani do të jenë më të guximshëm sepse ata po marrin shembull për organizim të shpejtë dhe të suksesshëm në Kosovë.
Ne kemi shume plane, që po shpresojmë t’i realizojmë gjatë kësaj vere në UBT, sepse me aq sa kam parë, ky institucion është më i miri për organizimin e ngjarjeve të tilla të artit, si dhe për të bashkëpunuar. Në këtë aspekt, më duhet ta veçoj rektorin e UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili është një njeri shume mendje hapur, energjik dhe po e përçon këtë energji edhe tek ne. për të ndërtuar gjëra të bukura për popullin tuaj dhe për botën.
Si president i IWS-së, jam duke udhëtuar përreth botes, duke qenë se i kemi krijuar degët tona në shumicën e vendeve të botes. Gjatë kësaj kohe, kam parë që shumë shtete janë stabilizuar dhe kanë shume para, në këtë mënyrë po krijojnë njerëz përtacë, por Kosova është e mrekullueshme dhe ka energji në çdo vend. Këtu po bëhen shumë ndërtime dhe njerëzit janë shumë energjikë, produktivë, kureshtarë, të talentuar, komunikues dhe i duan shumë aventurat. Ky është avantazhi i shtetit dhe popullit tuaj sepse këta të rinj do e ndërtojnë të ardhmen e këtij vendi.
Gjatë këtij edicioni, kam vendosur ta pikturoj heroin e popullit tuaj, Adem Jasharin sepse e çmoj dhe e respektoj tejet mase figurën e tij, duke qenë se ai e bëri realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, për të ndërtuar një shtet të pavarur, të lirë dhe paqësor, teksa ai e bëri këtë duke e sakrifikuar veten dhe familjen e tij. Për të gjitha këto arsye, unë ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që pata rastin ta pikturoj një figurë kaq madhështore të kombit shqiptar.
Në Kosovë, tani jetojnë njerëz të feve dhe kombësive të ndryshme, që po jetojnë se bashku dhe në paqe e harmoni me njeri-tjetrin. Kjo është mënyra se si duhet të funksionojmë të gjithë dhe bota duhet të marrë shembull nga ju”.
Youmee Park, kryetare e IWS-së së Koresë Jugore
“Jam shumë e lumtur që e pata mundësinë të vij në Kosovë, si pjesë e IWS-së dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt ta përcjellim festivalin edhe në Korenë Jugore.
Gjatë këtij organizimi si tërësi, kam qenë pjesë e këtij festivali të organizuar në Hong Kong, në Shangai, në Shqipëri, dhe së fundmi në Kosovë.
Ana më pozitive e këtij organizmi është njohja dhe lidhja e bashkëpunimit me artistë të tjerë. Do të doja shumë që të jem pjesë prapë pjesë e organizimeve të tilla sepse ka qenë një kënaqësi dhe një përvojë shumë e bukur për mua.
Kosovarët janë njerëz shumë të shoqërueshëm dhe të buzëqeshur.
Ky festival ishte shumë i bukur dhe më pëlqeu shumë qëndrimi në Kosovë, si dhe mënyra se si studentët ishin shumë të interesuar dhe të vëmendshëm në përcjelljen e punës sonë”.
Rahul Chakraborty, artist nga India
“Jam shumë i nderuar që pata mundësinë të jem këtu, si pjesë e IWS-së, mbi të gjitha sepse është vizita ime e parë jashtë Indisë dhe jam shumë i privilegjuar të jem në mesin e mjeshtërve më të mirë të akuarelit në mbarë botën.
Si temë të punës sime në këtë festival e kam marrë qytetin e Prizrenit sepse dy ditë më parë e kemi vizituar këtë qytet, para se të vinim në Prishtinë.
Gjatë këtij festivali kam pasur mundësinë të takoj njerëz të mëdhenj të artit dhe gjithçka ishte fantastike. Ky vend më ka mbushur me emocione dhe me pasion, prandaj mund të them që jam kënaqur shumë përgjatë këtyre ditëve.
Njerëzit këtu janë shumë inspirues dhe do të doja shumë që të vija prapë në këtë shtet sepse ky vend ka shumë potencial njerëzor, si me artistë, ashtu edhe me ide”.
Amit Kapoor, kryetar i IWS-së së Indisë
“Unë kam ardhur nga India dhe atje ka shumë lëvizje të njerëzve. është një vend shumë i zënë dhe i zhurmshëm, kurse unë gjithmonë dëshiroj të pikturoj vende të qeta të qyteteve, prandaj këtu kam dashur që përmes pikturave të iki nga qyteti dhe turmat e njerëzve, sepse me sa më pak gjëra të ketë, aq më tepër detaje mund të shfaqësh.
Është një vend shumë i bukur dhe njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe mbështetës.
Kam parë që studentët janë shumë të mirë në profesionet e tyre, mbi të gjitha janë shumë të durueshëm. Është e mrekullueshme të shohësh se si ata janë në gjendje të të shikojnë për orë të tëra, derisa e përfundon tërë pikturën.
Është hera ime e parë këtu dhe tashmë e dua këtë vend. Koha e kaluar në Kosovë ka qenë shumë e mirë sepse pata mundësinë të njihem me artistë, me studentë dhe staf të këtij institucioni të mrekullueshëm”.
Selma Todorova, artiste nga Bullgaria
“Ky është edicioni i parë dhe si i tillë mund të them që është një organizim i mirë. Njerëzit këtu janë shumë mikpritës, sikurse edhe të gjithë njërit e tjerë të Ballkanit.
Kam qenë edhe herë të tjera në Kosovë dhe jam takuar me shumë artistë të njohur, të gjithë janë shumë të mirë dhe të veçantë. Për mua është fat i madh të jem në mesin e artistëve më të njohur të akuarelit.
Procesi i dëgjimit dhe shikimit të punës së këtyre artistëve, mund t’i ndihmojë artistët e rinj kosovarë të përmirësohen dhe të krijohen edhe më tutje”.
La Fe, kryetar i IWS-së së Tajlandës
“Për këtë edicion kam zgjedhur ta pikturoj trëndafilin sepse shumë i pranueshëm për syrin dhe mund të gjendet kudo dhe të shfrytëzohet për shumëçka.
Ndihem shumë i nderuar dhe i lumtur që isha pjesë e këtij organizimi dhe pata mundësinë të njihem me artistë të mëdhenj botërorë.
Kosova dhe njerëzit e saj janë shumë të bukur dhe vazhdimisht të buzëqeshur, prandaj më pëlqeu shumë të kaloja kohë këtu”.
Krasi Todorov, artist nga Bullgaria
“Mua më pëlqen shumë që të pikturoj atë që ma thotë mendja për momentin sepse arti kurrë nuk është i njëjtë. Nëse i kthehesh për të dytën herë një pikture, gjithmonë do të dëshirosh të ndryshosh diçka, prandaj unë kurrë nuk i kthehem dy herë të njëjtës vepër arti.
Në art gjithçka lidhet me energjinë, me zemrën dhe me mendimet, prandaj unë gjithmonë i koordinoj këto, para se të filloj të pikturoj.
Ky festival është i klasit botëror dhe jam i nderuar që pata mundësinë të marrë pjesë në të. Kishte shumë studentë dhe njerëz të dashuruar pas artit, kështu që ishte një mundësi e mirë për t’u prezantuar para tyre”.
Linda Doll, kryetare e IWS-së së SHBA-ve
“I kam pikturuar një tematikë të vetme në tri fletë të ndryshme sepse, si profesoreshë kam dashur që studentët ta shohin procesin e pikturimit të një pikture të tillë, në mënyrë që, kur ata t’i kthehen punës sime, ta kujtojnë se si e kam pikturuar atë dhe hapat e ndryshëm nëpër të cilët kam kaluar.
Ishte një ngjarje e mrekullueshme dhe jam e nderuar që më kanë ftuar. Për studentët ka qenë një mundësi shumë e mirë, ku ata kanë pasur mundësinë të shohin shumë njerëz dhe punën e tyre, në mënyrë që më pas të vendosin se çka duan, çfarë dëshirojnë të bëjnë dhe çka duan të thonë ata me punën e tyre.
Gjatë këtij edicioni, të rinjtë patën mundësinë të shohin shumë mënyra të të punuarit dhe ishte një ndihmesë e madhe për ta që ta gjejnë veten e tyre, në mënyrë që jo vetëm të kopjojnë idetë e të tjerëve, por të inspirohen dhe ta zbulojnë inspirimin brenda tyre. Pra, ata panë këtu se secili artist është ndryshe dhe për secilin ekzistojnë rregulla të caktuara, ku të njëjtat thyhen prej një artisti tjetër.
Për neve që ishim pjesëmarrës këtu, patëm mundësinë të shohim një vend të bukur, njerëz të bukur dhe të gjithë ne jemi të nderuar dhe të lumtur që ishim këtu.
Puna e artisteve ishte e mrekullueshme, secili prej tyre ishte unik, aq sa e kanë dhënë përshtypjen që këtu nuk po shohim piktura, por zëra të ndryshëm”.