As realizëm as luftë qytetërimesh
Muajt e fundit, pjesë e debateve të përditshme politike është bërë edhe marrëdhënia e Kosovës me Lindjen e Mesme. Kjo temë u ndez prej njohjes që Izraeli i bëri Kosovës, njohje kjo që u ndërlidh me pajtimin paraprak të Kosovës për vendosjen e ambasadës tonë në Jerusalem. Republika e Turqisë reagoi ashpër; as Bashkimi Evropian nuk u pajtua.
Debati fatkeqësisht ka marrë drejtime keq të informuara. Janë kryesisht dy qasje që e kanë shtruar debatin. E para mund të quhet “shenjtëri realiste”. Kosova duhet ndjekur aleancat e saj tradicionale, aty ku i ka edhe interesat. Sipas këtij qëndrimi, fakti që ujdia është arritur në Uashington mbyll çdo debat. Madje edhe nëse vetë Uashingtoni nuk e kërkon me aq ngulm. Kjo qasje shan, nënçmon e shpërndan etiketa për secilën nuancë dalluese që do ta bënte Kosova. Shqipëria ta zëmë kishte abstenuar në OKB rreth kësaj çështjeje, por aleanca e saj ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është lënduar.
Qasja e dytë është veç më e dëmshme. Kjo qasje shpërndan në shoqëri erën e pusit toksik që politizon e ontologjizon mbi dallimet kulturore e fetare. Vendosni pra, ja opcionet: Lindja a Perendimi? Turqia apo Izraeli? Kjo qasje, teksa i futë kulturat në llogore, shpjegon secilin konflikt përmes dallimeve kulturore apo fetare. Kështu, popujt e shoqëritë janë të mallkuara në veçantinë e tyre që vjen e natyralizohet si armiqësore ndaj tjerëve.
Do ta nisim nga kjo: çfarë bën Benyamin Netanjahu me Jerusalemin është e dëmshme për botën dhe njerëzit. Ky qytet është nga pikat kyçe sa i përket trashëgimisë fetare e kulturore të botës. Aty ka trashëgimi edhe judaizmi edhe islami edhe krishtërimi. Prandaj, nuk do të duhej të bëhet ekskluzivisht i dikujt. Por, s’duhet harruar se të njëjtën politikë po e ndjekë edhe Presidenti turk Erdogan me Aya Sofia që e shndërroi në xhami pas 86 vitesh. Ky objekt kishte qenë kishë dikur, më vonë, me Perandorinë Osmane ishte bërë xhami, ndërkaq Turqia laike e kishte bërë muze.
Netanyahu dhe Erdogan konkurrojnë për ndikim rajonal në Lindjen e Mesme; janë të dy autokratë; por mbi të gjitha, janë brenda të njëjtit konservatorizëm të djathtë që projekton luftë qytetërimesh, që i thërret një diskursi mbi të shkuarën e lavdishme si provë superioriteti e projektim i të ardhmes.
Ambasada jonë s’do të duhej të ishte në Jerusalem. Por, më e rëndësishme se kjo është motivi dhe frymëzimi për këtë qëndrim. Qeveria në ardhje po flet për rishqyrtim nisur nga një oportunizëm elektoral që është ai i një komuniteti fetar këtu, ose ai i një karshillëku evropian përkundër Shteteve të Bashkuara. Ne nuk themi kështu për t’ia bërë qejfin Turqisë; as sepse kështu do Bashkimi Evropian. Por, mbi të gjitha, sepse kjo nuk i ndihmon paqes e bashkëjetesës midis popujve e kulturave.
Ekziston vetëm një botë! Vetëm kështu afirmojmë paqe të përhershme e barazi midis popujve.
Atyre që e predikojnë shenjtërinë realiste, pozicion ky që nuk na lejon të shohim asnjë nuancë përveç asaj që kuptohet si interes vetjak, mund t’i përgjigjeshim me një pyetje: çfarë do të ishte Kosova në vitet më të vështira të saj nëse do të ndiqej kjo rrugë, nëse secili në botë do ta shihte veç veten e tij?!