ASHAK-u nuk e shkarkon Mehmet Krajën, “u arrit kompromis që të zgjidhen keqkuptimet”

Prishtinë | 16 Shk 2023 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Mehmet Kraja nuk është shkarkuar nga detyra e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Në takimin e sotëm, i cili ishte i mbyllur për media, raportohet se është arritur kompromis që të zgjidhen të gjitha keqkuptimet.

Anëtari i ASHAK-ut, Jusuf Bajraktari, tha më pas, se ky takim ishte ndër më të mundimshmit të historisë së kësaj akademie.

”Ishte një ndër takimet të mundshme të historisë së akademisë, megjithatë janë diskutuar detajisht të gjitha problemet”.

”Kanë mbizotëruar arsyet, se në këtë kohë kur Kosova po përballet me probleme të llojllojshme qoftë problem të brendshme ekonomike apo politike, ne si anëtarë të akademisë, erdhëm në përfundim se nuk duhet t’ia shtojmë dhimbjet Kosovës, dhe gjetëm një zgjidhje kompromisi, që të vazhdojmë punën e mëtejshme me projekte shkencore, me harmoni e kompetenca që kemi”.

”Çdo gjë që ishte pretekst, i keqkuptimeve të ndryshme, iu vihet kapaku ditëve të sotit. Nesër mrapa ju uroj festën”, u shpreh ai.

Ndërkohë në medie ka pasur raportime se Kraja ka kërkuar falje për publikimin e analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në emër të Akademisë dhe “është falur” nga anëtarët.

Pas kësaj ka reaguar vetë Kraja, i cili ka bërë të ditur se nuk ka kërkuar falje, dhe sipas tij askush nuk e ka kërkuar nga ai një gjë të tillë.

“Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Akademisë nuk kam kërkuar falje dhe as e ka kërkuar dikush prej meje një gjë të tillë. Duke mos pasur baze ligjore për të marrë në përgjegjësi kryetarin e Akademisë, u propozua një kompromis, për të cilin është shprehur qartë akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky është kompromisi. Deklaratat tjera janë spekulime pa asnjë peshë dhe vlerë.” – ka shkruar Kraja në Facebook.

Publikimi i analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në emër të Akademisë kishte nxitur reagime të shumta të anëtarëve të Akademisë dhe të publikut në përgjithësi. Kjo pasi analiza ishte një opinion i tij personal dhe nuk kishte marrë miratimin për t`u publikuar në faqen e Akademisë.

Në këtë publikim, Kraja kishte shprehur mendimet e veta, duke e publikuar si qëndrim të ASHAK-ut. Në këtë analizë, ai kishte kritikuar shumë figura publike në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Thaçi “planifikonte” ndarje të Kosovës bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Po ashtu, ai akuzonte edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.

Të ngjashme