Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI) sot ka zhvilluar një aksion të gjerë në 6 lokacione të ndara, nën dyshimin e veprës penale shmangie nga tatimi.
Lokacionet e bastisura kanë qenë:
– 3 lokacione në Ferizaj (2 subjekte tatimore dhe 1 zyrë e kontabilitetit),
– 1 lokacion në Kamenicë (1 subjekt tatimor),
– 1 lokacion në Prishtinë (1 zyrë e kontabilitetit) dhe
– 1 lokacion në Graçanicë (1 subjekt tatimor).
DHTI ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, ku është informuar për veprimet në terren.
Në vendngjarje janë sekuestruar, fakte dhe dokumente që ndërlidhen me transaksione të dyshuara (fiktive).
Faktet dhe dokumentet e sekuestruara janë: 5 shtëpiza kompjuteri, 2 laptop, 1 Hard Disk (External HD), 1 flash disk, si dhe Libra të blerjes, libra të shitjes dhe fatura të ndryshme dhe prova të tjera që janë relevante.
Pas përfundimit të kontrollit (bastisjes), në zyrat e DHTI-së janë shoqëruar 4 persona, ku është marrë deklarata (intervista) e tyre, lidhur me veprimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore.
Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, gjykatën përkatëse dhe në asistim të Policisë së Kosovës.