Menaxhmenti i Lartë i Administratës Tatimore ka organizuar një takim të përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e subjekteve të lojërave të fatit, të cilat veprojnë në Kosovës. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i shumë çështjeve, që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Në këtë takim i cili nuk është i pari që mbahet në këtë format, Administrata Tatimore ka kërkuar nga përfaqësuesit e lojërave të fatit që të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore, të cilat janë të obligueshme sipas ligjit nr. 04/L080, për Lojërat e Fatit, si dhe udhëzimi administrativ Nr. 03/2013. Po ashtu, ATK ka konfirmuar edhe njëherë, se në vazhdimësi do të mbështes dhe do të trajtoj me kohë të gjitha kërkesat e këtyre subjekteve që i adresohen ATK-së, për organizimin e lojërave të fatit konform dispozitave ligjore në fuqi.
Vlen të theksohet se Drejtoria e Lojërave të Fatit gjatë vitit 2017, ka pasur një monitorim strikt, tek të gjitha subjektet e lojërave të fatit, në të gjithë territorin e Kosovës. Gjatë periudhës Janar-Shtator 2017 janë mbyllur 130 subjekte, ku për 11 raste ka filluar procedura e inicimit të kallëzimeve penale. Si rezultat i të gjeturave nga tereni janë lëshuar 373 gjoba në vlerë prej 903, 250 euro.