Auditorët e komunave, pagat më të larta se të kryetarëve

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 12:19 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Auditorët nëpër komuna kanë pagat më të larta se të kryetarëve të komunave. Ky shqetësim u ngrit në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilin u shqyrtua Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

Ky projektligj po del të ketë probleme me pagat e auditorëve të komunave të Kosovës.

Auditorja e brendshme në Kuvendin e Kosovës, Aide Grajçevci, tha se Projektligji për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike duhet të rregullojë çështjen e pagave të auditorëve.

“Çështja e pagave të auditorëve të brendshëm të rregullohet me një nen, të mos mbetet peng i rregulloreve të tjera, sepse kjo pjesë e pagesave të auditorëve asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike, por gjithmonë është rregulluar sipas inspektimit buxhetor, e që shpesh i ka dëmtuar pagat tona”, ka thënë Grajçevci.

E, Sazan Ibrahimi drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës replikoi Grajqevcin, duke thënë që pagat e disa auditorëve gjithmonë kanë qenë më të larta se të kryetarëve të Komunave.

“Në disa komuna pagat e auditorëve janë më të larta se të kryetarëve të komunave. E kjo është absurde pasi që çështja e përgjegjësive këtu ndahet. Kryetari i komunës ka tjetër përgjegjësi, pasi që është i zgjedhur nga qytetarët, e auditori ka përgjegjësinë e mbikëqyrjes”, ka thënë Ibrahimi.

Jo vetëm Grajqevci kishte ankesën e saj për çështjen e pagave por edhe auditorë të tjerë ngritën këtë shqetësim.

Labinot Lekaj auditor i brendshëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) tha se pagesat e auditorëve shpesh herë janë të ngjashme me ato të përgjegjësve për barazi gjinore.

“Në Katalogun e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil të Kosovës, pozita e auditorit është vendosur sikurse pozita e një zyrtari për barazi gjinore. Në kontekst të kësaj, auditorët e brendshëm duhet domosdo që me Ligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, të rregullohet edhe çështja e pagave të auditorëve të brendshëm”, tha Zekaj.

Përfaqësuesi i organizatës GIZ, Mentor Hyseni ka thënë se çështja e pagave dhe e përfaqësuesve të auditimit janë lënë anash. Sipas tij këto dy çështje janë të rëndësishme.

Kryetari i Komisionit, Faton Topalli, kishte një pyetje për drejtorin e Njësisë Qendrore të Auditimit, Kosum Aliun, të cilit iu drejtua se nëse auditorët nuk e kryejnë punën siç duhet a i dënon ligji.

Aliu iu përgjigj duke thënë se për mosfunksionim të ligjit dhe të punës së auditorëve përgjegjësia bie mbi ministrinë, komunën apo cilindo institucion të cilin e përfaqëson një auditor.

Të ngjashme